zoom

Aktualitet

Nga Shkodra në Rinas për të shitur armë dhe drogë, “Rrethi” prangos 45-vjeçarin

Policia e Tiranës njoftoi sot se ka arrestuar një 45-vjeçar, që posedonte armë zjarri pistoletë dhe shotgan.

Mësohet se i arrestuari mbante armët, me qëllim shitjen e tyre në zonën e Rinasit, teksa i është gjetur edhe drogë.

Ndërhyrja u bë në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, teksa u finalizua e koduar si “Rrethi”.

“Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, dhe me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 45-vjeçar që posedonte armë zjarri, me qëllim shitjen.

Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, 1 armë zjarri shotgan, 1 pistoletë pneumatike me ajër, doza kokaine dhe sasi kanabisi, fara të dyshuara narkotike kanabis, përforcues grushti dhe mjete prerëse thika”, thanë burime zyrtare.

Si rezultat, në Rinas, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 45 vjeç, banues në Shkodër.

“Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me DVP Shkodër u ushtrua kontroll në banesën e tij, në Shkodër, dhe gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri shotgan me municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike me ajër, doza kokaine, sasi kanabisi, fara të dyshuara narkotike kanabis, përforcues grushti dhe mjete prerëse thika.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se 45-vjeçari i arrestuar i ka siguruar armët e zjarrit, me qëllim shitjen e tyre”, theksohet në njoftim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/