zoom

Lajme

Nga Greqia, në Milano e Londër. Klosi tregon turin e Ramës, ambiciet e PS dhe votën e Diasporës

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e sotme, tregoi detaje nga turi i takimeve të kryeministrit Edi Rama me diasporën. Ai tha se Rama të dielën në orën 11:00 do të mbajë një takim me emigrantë shqiptarë në Athinë.

Por jo vetëm kaq: “Do të zgjedhim me parimin një anëtar një votë 950 delegatët që do të zgjidhen në Kongresin e ardhshëm të kësaj partie. Në Athinë do të bëjmë një tur takimesh me diasporën shqiptare. Të dielën do të jemi në Athinë në orën 11, ku do të zhvillohet takimi me diasporës. Në 26 maj do të jemi në Milano dhe në 2 qershor në Londër”, tha Klosi.

Mes të tjerash Klosi tha se këto takime nuk do të jenë nën logon e PS, por aktivitete që Rama do t’i bëjë si kryeministër. “Këto vende janë kryeqendra e vendeve të rajonit. Nuk ka asnjë tendencë politike. Nuk janë aktivitete nën logon e PS. Por aktivitete të kryeministrit me Diasporën për atë se çka ofron dhe çka ka arritur Shqipëria.”, tha ai.

Ai tha se mazhoranca ka vullnet për realizimin e saj, ndërsa tha se edhe vizita e kryeministrit Edi Rama në 12 maj në Athinë, është pikërisht për energjizimin e diasporës dhe ftesën që i bëhet atyre për t’iu bashkuar vizionit të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030.

“Në ndryshimet e bëra në Kod është sanksionuar vota e emigrantëve. Vizita e Ramës në Athinë ka të bëjë edhe me këtë dimension, për kontaktet me diasporën për të pasur një rienergizim të marrëdhënieve të emigrantëve me shtetin shqiptar dhe ftesën që duet t’u bërë aty që të jenë pjesë e vizionit të PS dhe Ramës për Shqipërinë e vitit 2030.

Kemi vullnet për votën e emigrantëve, mazhoranca e ka shprehur një gjë të tillë. Kjo është një votë që ka nevojë për një procedurë standarde dhe një debat mbi mënyrën se si do të realizohet. Jemi të dëshiruar për një gjë të tillë”, tha ai.

I pyetur për faktin se vizita e Ramës në Athinë vjen ndërkohë që në Greqi është kohë zgjedhjesh, Klosi tha se edhe kryeministri grek ka ardhur në një periudhë të tillë në vendin tonë dhe nuk është shkaktuar problem.

“Edi Rama, kryetar i PS ka shkuar disa herë për të takuar emigrantët ne Greqi. Ne kemi pasur takime të shpeshta kudo ku ka emigrantë, për të krijuar degët tona të partisë ku ka shqiptarë. Asnjëherë nuk ka pasur këtë vëmendje dhe debat për një kryetar shteti, pasi është një standard që ndodh kudo në botën e qytetëruar. Edhe kryeministri grek ka qenë në kohë fushate në fendin tonë, në zonën e Dropullit. Nuk kemi thënë asnjëherë asgjë. Edhe kryetari i ZYRIZAS ishte dje në Dropull dhe vizita e tij u mirëprit”, tha Klosi.

Sekretari i PS u shpreh edhe se mazhoranca ka mbajtur fjalën për një drejtësi të pavarur, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë koment sa i përket vendimeve të drejtësisë të asnjë lloji.

“Sa i përket drejtësisë, kushdo që është kërkuar të japë informacion para drejtësisë, nuk ka pasur kurrë pengesë nga PS dhe Rama. Ky është realizim i premtimit për një drejtësi të pavarur. Nuk kemi koment sa i përket raportit me drejtësinë. Tirana është qarku më i rëndësishëm në garën e ardhshme elektorale. Jemi duke u përgatitur për 2025. PS është e orientuar për fitoren e mandatit të katërt, ndaj po punojmë në të gjithë Shqipërinë. Përpjekja jonë është që në Tiranë të triumfojnë sërish siç triumfuam vetëm një vit më parë”, tha ai.

Ai shtoi se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, PS do të fitonte 56 mandate.

“Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, apo të dielën, ne kemi një sondazh të vjetshëm, ku fituam 56 mandate. Një vit më parë, sot jemi një 1 vit nga fitorja e 14 majit, ku puna e PS dhe e Ramës dha një rezultat të jashtëzakonshëm. Do të jetë fitore më shumë se rezultati numerik. Nuk dyshoj se do të ketë më shumë se në zgjedhjet e fundit”, tha ai. /ZOOM.AL/