Aplikacion
Është një ditë me diell dhe e ngrohtë vjeshte në fshatin verior të Shqipërisë, në Gjadër.
Pensionistja, Dile Vlashaj, 65 vjeç, ndodhet në kopshtin e saj duke hequr me një shatë barin e keq nga perimet. Ajo punon e pashqetësuar, edhe pse disa metra larg shtëpisë së saj janë me dhjetëra gazetarë nga e gjithë Evropa. Ata raportojnë për kampin e refugjatëve, në të cilin për herë të parë po dërgohen migrantë nga Italia. Gjadëri, një fshat i qetë, u kthye papritur në qendër të politikës evropiane për refugjatët dhe azilin.
Dile Vlashaj, e cila jeton aty vetëm me bashkëshortin e saj, e njeh mirë plagën e emigracionit. Fëmijët e saj jetojnë prej vitesh në Itali, “në kërkim të një jetë më të mirë”, siç thotë ajo. Në lidhje me refugjatët që po vijnë, Dila ndjen keqardhje, pasi sipas saj “askush nuk e le shtëpinë e vet, përveç se nga nevoja.” Megjithatë ajo shton se është pak e shqetësuar nga ardhja e tyre. ‘’Shpresojmë që gjithçka shteti të vendosë rregulla për ta” – shprehet Dila.
Edhe Gjadri ka emigracionin e vet
Në Gjadër, dikur me 2000 banorë, kishte një aeroport ushtarak gjatë diktaturës komuniste, avionët ruheshin në tunele. Nga baza ajrore, sot kanë mbetur vetëm ndërtesa të braktisura. Pista e nisjes dhe e uljes, si dhe tunelët që të çojnë në shpella, janë ende nën mbrojtjen e ushtarëve. Tanimë në fshat ka rreth 700 banorë, shumica janë të moshuar. Pjesa më e madhe e të rinjve kanë emigruar në vende të tjera. Ata dërgojnë para për të ndihmuar prindërit e tyre, pasi, përveç bujqësisë, në Gjadër ka pak mundësi për punë.
Pas marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për të krijuar aty një qendër pritjeje për migrantët, banorët e Gjadrit janë mësuar me praninë e gazetarëve. Por këtë të mërkurë (16 tetor 2024), numri i tyre është më i larti se çdo herë tjetër.
Ata shikojnë anijen ushtarake italiane “Libra” në portin e Shëngjinit që mbërriti aty rreth orës 8.00 të mëngjesit, rreth 22 kilometra larg nga fshati Gjadër. Anija solli një total prej 16 refugjatësh. Dhjetë prej tyre vijnë nga Bangladeshi dhe gjashtë nga Egjipti. Ata u shpëtuan nga Garda Bregdetare italiane në një situatë emergjence, pasi anija e tyre doli nga ujërat bregdetare libiane. Fillimisht, ata do të qëndrojnë në qendrën e pritjes në Shëngjin, e më pas do të lëvizen për në kampin e Gjadërit me makina policie. Gazetarët mund të shikojnë vetëm nga distanca, kontakti me refugjatët nuk lejohet.
“Ëndrrat evropiane përfundojnë këtu”
Një grup aktivistësh po ashtu po pret përpara kampit të Shëngjinit. Ata mbajnë pankarta në duar. “Ëndrrat evropiane përfundojnë këtu,” shkruhet në njerën prej tyre në anglisht. Të rinjtë, të gjithë nga zona përreth Gjadërit, protestojnë prej kohësh kundër kampit të refugjatëve. Fillimisht, ata kërkuan ndalimin e marrëveshjes midis Italisë dhe Shqipërisë. Tashmë që kampi ka përfunduar, ata vazhdojnë të kundërshtojnë, por tani kërkesa e tyre janë diskutimet publike me qeverinë dhe garanci për sigurinë e komunitetit lokal. “Kërkojmë që shteti ynë të garantojë se nuk do të ketë rritje të krimit apo trafikimit të qenieve njerëzore,” thotë Mariglend Doçi, 29 vjeç, nga Mamurrasi. Doçi ka studiuar shkenca politike dhe tani punon në biznesin e tij familjar.
Në orën 23:30, refugjatët sillen në kampin në Gjadër. Përsëri, gazetarët mund ta ndjekin gjithçka vetëm nga distanca. Kampi ndodhet pak larg qendrës së fshatit. Ngjan si një burg me siguri të lartë. Gardhet e hekurta disa metra të larta nuk lejojnë që asgje të shikohet brenda. Disa ditë më parë gazetarët u lejuan të bëjnë fotografi dhe video në mjediset e kampit të sapondërtuar. Brenda tij ndodhen kontenierë për akomodimin e refugjatëve, si dhe një gjykatë dhe dy burgje.
Shpresa për vende të reja pune
Ardhja e refugjatëve ka qenë tema kryesore në Gjadër për muaj me radhë. Shumë njerëz thonë se ishin skeptikë në fillim dhe kishin frikë. Ndërkohë, ata shpresojnë që fshati do të përfitojë nga kampi i refugjatëve, duke krijuar vende të reja të pune për ta.
“Disa banorë ishin shumë të shqetësuar,” thotë kryeplaku i fshatit Gjadër, Aleksandër Preka, “por shqetësimi u zbeh përballë të ardhurave që solli ndërtimi i kampit.” Disa nga banorët e fshatit dhe zonës përreth tashmë janë të punësuar në kamp, veçanërisht për mirëmbajtje dhe rinovim. “Kjo do të thotë më shumë zhvillim për zonën dhe më shumë mirëqenie për ne,” thotë Preka. Ai gjithashtu dëshiron të theksojë se shqiptarët janë një popull mikpritës. “Dera jonë është gjithmonë e hapur për njerëzit në nevojë,” thotë ai.
Në të vërtetë, dera e Shqipërisë nuk është e hapur. Marrëveshja e arritur mes dy vendeve përcakton që Shqipëria të pranojë deri në 36,000 refugjatë të paligjshëm në vit. Refugjatët akomodohen në Gjadër për aq kohë sa shteti italian të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil. Ata duhet të marrin një përgjigje brenda 28 ditëve. Nëse kërkesa e tyre pranohet, ata do të kthehen në Itali. Të tjerët kthehen përsëri në vendet e tyre të origjinës.
Ndërkohë, Dile Vlashaj vazhdon të punojë në kopshtin e saj nën rrezet e diellit të vjeshtës, por ndjehet pak më e shqetësuar gjatë bisedës. Ajo shpreson që shteti të përmbushë të gjitha rregullat e premtuara në kampin e refugjatëve. “Nuk duam probleme në fshat,” thotë ajo.