zoom

Stil

“Nëntori i ftohtë” i Kosovës së viteve ’90, bëhet pjesë e Netflix

Filmi “Nëntor i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina, katër vjet pas premierës botërore, ka hapur një tjetër kapitull që shënjon kinematografinë e Kosovës, duke thyer akullin në platformën gjigante botërore.

Të shtunën i është bashkuar “Netflixit” dhe aty do të jetë për pesë vjet.

“Për pesë vitet e ardhshme, do të keni mundësi të shihni filmin tonë ‘Nëntori i ftohtë’ në ‘Netflix International’ dhe ‘Netflix Europe’”, ka shkruar regjisori Ismet Sijarina.

Pavarësisht se zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje u bë vetëm tani, palët ishin dakordësuar qysh në gusht të vitit të kaluar.

“Marrëveshja me ‘Netflix’ ka qenë një proces i gjatë dhe i lodhshëm. Gjatë gjithë verës 2021 kemi punuar intensivisht në këtë marrëveshje dhe e kemi nënshkruar në fund të gushtit 2021, por nuk kemi guxuar ta publikojmë deri në ditën e premierës në ‘Netflix’”, ka thënë Sijarina për Kohën.