zoom

Aktualitet

Nënshkruhet marrëveshja për rehabilitimin e HEC Fierzë

Rehabilitimi i plotë i gjeneratorëve të katër turbinave në Hidrocentralin e Fierzës pritet të forcojë kapacitetet menaxhuese të Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, veçanërisht si ofrues energjie në tregun shqiptar të energjisë dhe në rajon.

Kjo do të bëhet e mundur falë marrëveshjes së nënshkruar nga pala shqiptare dhe banka gjermane për investim KFW, në prani edhe të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ambasadorit të BE-së Luigi Soreca dhe ambasadorit gjerman Peter Zingraf.

Ministrja Balluku tha se ky investim në një kohë që e gjithë bota po përballet me krizën energjetike është tejet i rëndësishëm.

“Kjo krizë ka prekur dhe Shqipërinë dhe padyshim situata e krijuar dihet tashmë. Javët e fundit kemi qenë në komunikim me qytetarët tanë pasi sasia energjetike që tregu ka kërkuar është diku 90 % më e lartë se ajo zakonisht kërkon. Pra nga 14 mijë megavat/orë kemi arritur ditë e fundit në 20 mijë megavat-orë, sigurisht për shkak të të ftohtit, por dhe  të rifillimit të jetës së postpandemisë”, tha ajo.

Balluku shtoi se qeveria shqiptare në kuadër të kësaj krize ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur abonentët familjarë dhe bizneset.

“Kjo ka një kosto për qeverinë, por si gjithmonë ashtu siç e kemi bërë në kohë krize ne nuk i kemi lënë vetëm qytetarët. Por dhe partnerët tanë nuk na kanë lënë kurrë vetëm. Kështu që Fierza, njësia gjeneruese më e madhe në Shqipëri është ndërtuar në vitet ’78-’82 dhe çdo pajisje mekanike që funksionon sot i përket asaj kohe. Fierza mbulon 22 % të nevojave në vend me energji 1328 gigavat për sasi vjetore. Instalimet teknologjike janë të vjetra dhe tregojnë për një gjendje jo të mirë teknike, që kaluan një kapacitet të humbur rreth 4 % të energjisë vjetore”, tha ajo.

Ambasadori i BE-së  Luigi Soreca u shpreh i kënaqur me këtë investim që shton kapacitetet e Fierzës.

“Do të sigurohet furnizimi me energji për më shumë se 200 mijë familje. Një kontribut konkret i BE-së përmes grantit prej 8.35 milionë Euro, për të përforcuar sigurinë energjetike të Shqipërisë. Rehabilitimi i Fierzës është i një rëndësie strategjike për Shqipërinë dhe rajonin. Një projekt i rëndësishëm i përzgjedhur nga Plani Ekonomik i Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe një pikë kyçe në kontributin për të përmbushur Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Ergys Verdho dhe drejtoresha e Zyrës së KFW-së në Tiranë, Brit Horschke.

Dy marrëveshjet e grantit në fushën e energjisë janë me vlerat 8.35 milionë Euro dhe 2 milionë Euro të cilat janë pjesë e paketës mbështetëse edhe të marrëveshjes së huasë që u nënshkrua në fund të vitit të kaluar prej 40 milionë Euro.