Aplikacion
Raporti Vjetor i Linjës Kombëtare për Internet të Sigurtë për Fëmijët njoftoi për 93 incidente të regjistruara për ngacmime dhe dhunë seksuale përmes internetit ndaj fëmijëve gjatë vitit 2021 si dhe për 2 mijë e 806 faqe interneti me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve.
Raporti u publikua nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Platforma kombëtare Isigurt.al në një forum me përfaqësues të qeverisë dhe veprimtarë të shoqërisë civile.
Autorët pohuan se edhe gjatë vitit 2021, fëmijët dhe adoleshentët vijuan të raportojnë të dhëna të larta të dhunës seksuale në internet.
46 nga 93 incidentet e raportuara i përkasin Tiranës dhe pjesa tjetër Elbasanit, Fierit, Durrësit, Vlorës, Peqinit dheqyteteve të tjera.
Po ashtu edhe numri i faqeve të internetit, që u raportuan për materiale me përmbajtje të dhunës seksuale me fëmijët, u trefishua gjatë vitit 2021, krahasuar me periudhën përpara pandemisë Covid-19.
“Djemtë raportojnë 2 herë më shumë sesa vajzat në Isigurt.al, por vajzat janë viktimat kryesore të dhunës dhe ngacmimeve seksuale në internet në 66 përqind të numrit të raportuar të incidenteve. Afro gjysma e fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga incidentet e raportuara në internet janë 15-17 vjeç” – thotë Altin Hazizaj, drejtues I Qendrës Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve CRCA.
Raporti citon të dhënat nga disa institucione dhe kompani internteti, sipas të cilave të paktën 80 përqind e fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri kanë akses në internet të shpejtë dhe pa kufizim. Ministrja e shtetit për rininë dhe fëmijët, Bora Muzhaqi, thotë se nevojitet punë konkrete, krahas këshillimeve dhe trajnimeve në shkolla.
“Qeveria po punon së bashku me organizatat e shoqërisë civile për një metodë të posacme dhe një aplikacion për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet e internetit, në mënyrë që ata të denoncojnë kërcënimet dhe të kenë një qendër ku të mbrohen, të bisedojnë për t’i shmangur ato” – tha zonja Muzhaqi.
Studimi vëren se pjesa më e madhe e fëmijëve kanë akses të pakontrolluar në internet, për shkak të pajisjeve inteligjente që ata përdorin për t’u arsimuar, sidomos gjatë kohës kur shkollat u mbyllën masivisht prej Pandemisë Covid-19./VOA
Stadiumit 35 mln euro i prishet ekrani! Biletat deri ne 300€, por s’kane lekë as për një ekran