Aplikacion
Maria, një shitëse rreth të gjashtëdhjetave e një dyqani ushqimor në qendër të fshatit Gjadër në Lezhë thotë se që kur italianët filluan punën për ndërtimin e kampit të refugjatëve, xhiroja në dyqanin e saj është dyfishuar.
“Kam shitur vetëm për një ditë 200 shishe me ujë, kur në kushte normale, ato s’i shisja as për tre muaj”, thotë gruaja, e kënaqur si po shkojnë punët në ditët e fundit.
I mpakur prej vitesh nga emigracioni masiv, fshati i Gjadrit është gjallëruar së fundmi nga prania e rreth 150 punëtorëve dhe dhjetra karabinierëve që po punojnë për ngritjen e kampit të refugjatëve pas marrëveshjes kontroverse mes kryeministrave Edi Rama dhe Giorgia Meloni nëntorin e vitit të kaluar.
Marrëveshja është kundërshtuar gjerësisht nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe komuniteti i zonës, por tashmë një pjesë e banorëve si Maria po shpresojnë se kampi mund të jetë një mundësi e mirë ekonomike për ta.
Protokolli mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane parashikon ngritjen e një qendre pritjeje në portin e Shëngjinit dhe një kampi të mbyllur në Gjadër për refugjatët nga Lindja e Mesmeapo Afrika e Veriut që kapen në detin Mesdhe.
Një pjesë e tyre parashihet të transferohen në Shqipëri për t’u procesuar ndaj kërkesave për azil, një praktikë e cila kritikohet se bie ndesh me ligjet ndërkombëtare nga organizatat e të drejtave të njeriut. Sipas protokollit, në Shqipëri do të transferohen jo më shumë se 3 mijë emigrantë në të njëjtën kohë.
Dy kampet janë të rrethuar me mure të larta metalike të ngjashme me burgjet. Qendrat do të jenë nën administrim të Italisë dhe shihen nga qeveria italiane si një formë presioni për të trembur dhe frenuar refugjatët që synojnë në mënyrë të paligjshme brigjet italiane.
Qendra pritëse në portin e Shëngjinit u inaugurua në qershor, në mes të fushatës për zgjedhjet Europiane nga Meloni dhe Rama. Ndërkohë, kampi në Gjadër ishte parashikuar të inaugurohej në gusht të këtij viti, por punimet aty janë zvarritur për disa muaj.
Megjithatë në tetor puna duket se po shkon drejt fundit. BIRN mësoi se është ngritur e gjitha struktura me 1200 kontejnerë në total, po ashtu është bërë dhe rrethimi me kangjella metalike rreth 6 metra të larta.
Aktualisht po punohet për lidhjen e kanalizimeve të ujit, energjisë elektrike si dhe asfaltimin e ambientit brenda strukturës. Për të gjithë punën u angazhuan rreth 150 punojës, një pjesë nga zona e Zadrimës dhe të tjerë nga Italia dhe Maqedonia e Veriut.
Teksa punimet në kampin e refugjatëve në Gjadër të Lezhës po shkojnë drejt fundit, zona është marrë nën administrim nga karabinierët italianë që janë vendosur brenda saj. Karabinierët kanë mbërritur prej një muaji dhe po operojnë brenda kampit me turne përgjatë 24 orëve.
Ndërkohë, siguria përreth kampit ruhet nga punonjës të policisë shqiptare. Në Drejtorinë e Policisë së Lezhës po ngrihet një strukture e posaçme me rreth 80 punonjës policie dhe oficerë, të cilët do të koordinojnë punën me palën Italiane për të garantuar sigurinë në ambientet përreth kampit të refugjatëve në Gjadër.
“Po punohet edhe natën për ta bërë gati të paktën deri në muajin nëntor, pasi siç e keni parë dhe vetë ka patur shumë punë për të realizuar projektin ashtu siç është parashikuar,” thotë Ndoci, një roje private i kontraktuar nga një kompani italiane.
Fije shprese në dëshpërim
Si shumë fshatra të Shqipërisë, Gjadri është braktisur masivisht nga banorët. Aleksandër Preka kryeplak i Gjadrit, thotë se nga rreth mbi 2 mijë banorë para viteve 90′, tani në fshat nuk ka më shumë se 500 banorë.
Preka dhe banorët e mbetur të fshatit ishin skeptikë kur dëgjuan fillimisht planet për ndërtimin e kampit aty, por tani një pjesë e tyre ironikisht po e shohin kampin me refugjatë si një mundësi për të shpëtuar zonën nga dëshpërimi i shkaktuar nga emigrimi masiv i banorëve.
“Fillimisht edhe unë vetë dhe shumë banorë e kanë parë më skepticizëm çështjen e marrëveshjes me Italinë, por shumë shpejt gjërat ndryshuan dhe po t’i pyesësh në këto momente, mbi 80% e banorëve të Gjadrit dhe zonës përreth po e shohin pozitivisht,” thotë Preka.
Disa prej banorëve kanë përfituar që prej fillimit të punimeve. Rreth 60 banorë të zonës kanë filluar punë brenda kampit, ndërkohë rreth 15 familje kanë dhënë banesat e tyre me qira për punëtorë që kanë ardhur nga jashtë.
Ndër ta është Pjetër Toma nga fshati Kakarriq i Lezhës. Toma ka një shtëpi tre katëshe pak metra larg bazës ushtarake të Gjadrit ku po ndërtohet kampi, por nuk kishte menduar ndonjëherë që mund t’a jepte atë më qira.
“Unë kam një shtëpi tre katëshe të cilën e kam ndërtuar me mund dhe sakrificë për të jetuar bashkë me familjen time dhe s’e kisha menduar asnjëherë që do ma kërkonin me qira, pasi njerëzit vetëm po largohen nga fshati dhe sidomos të rinjtë nuk kanë dëshire të jetojnë këtu”, thotë Toma 70 vjeç. Në shtëpinë që e ndërtoi për vete dhe fëmijët, 70-vjeçari jeton vetëm me bashkëshorten, ndërsa 3 fëmijët janë emigrantë.
Ai thotë se kur nisi puna për ndërtimin e kampit, 15 punëtorë nga Maqedonia e Veriut u akomoduan në shtëpinë e tij.
Punëtorët po paguajnë së bashku 1 mijë euro në muaj, një shumë e madhe për banorët e zonës. “Fillimisht kam bërë një kontratë 6 mujore, me të drejtë rinovimi”, thotë Toma.
Veç disa dhjetra të punësuarve dhe shtëpive të dhëna me qira, banorët po shpresojnë edhe të përfitojnë investime në infrastrukturë.
“Na kanë premtuar se me përfundimin e punimeve dhe vënien në funksion të kampit do të ketë investime dhe në fshat. Këtë na ka thënë ambasadori italian, i cili ka qenë i pranishëm bashkë me përfaqësues të tjerë këtu në Gjadër,” thotë kryeplaku Preka, i cili shpreson që kjo të sjellë edhe përmirësimin e rrjetit elekrik të zonës./BIRN
PRAPASKENAT/ Ilnisa xheloze për Meritonin, moderatori merr valixhen dhe ikën nga shtëpia