zoom

In Zoom

Në djall historia! Shembet ura qindravjeçare në Librazhd, banorët kërkuan më herët ndihmë

Provoni të ktheheni 3 ditë pas në kohë. Për dikë ishte ditë mëse e zakonshme, për një tjetër mbase jo. Sido të ketë qenë, diçka ndodhi për të gjithë ne njëkohësisht! Një copë e mirë historie u shkëput, ra dhe mori fund.

Ndodhí që në dukje s’të prish fort punë, nuk t’i zbraz xhepat, as të ndikon hëpërhë në mirëqenie. Veçse të shkund ama, të ngul në palcë frikën e harresës, zhdukjes.

Kështu, në 31 mars, te lumi i Gostimës, i cili derdhet në Shkumbin u shemb Ura E Gurit, urë me një hark e me moshë qindravjeçare, ndërtuar në njërin prej degëzimeve më të rëndësishme të rrugës Egnatia. Raportohet se origjina e saj daton në periudhën ilire; një ndërtim që më pas do të restaurohej nga turqit, rreth vitit 1750 të shekullit të 18-të.

“Përveçse monument i ndërtimtarisë, bashkë me Urën e Kamares, ishte njëra prej dëshmive historike më të vjetra të këtij lloji në zonën e Polisit.

E lënë jashtë vëmendjes, ashtu siç ndodh zakonisht te ne me dëshmitë dhe objektet kulturore e historike, që nga dita e sotme ajo nuk ekziston më. Ura e Gurit nuk u klasifikua asnjëherë si monument i trashëgimisë kulturore. Asnjëri nga administratorët vendorë apo të zgjedhurit në Kuvendin e Shqipërisë nuk morën përsipër t’i bënin të njohura vlerat e saj arkitekturore dhe historike pranë institucioneve shtetërore.

Për polisarët, shembja e urës është sikur të kenë përcjellë një të afërm për në botën tjetër. Sidomos për banorët e Gjeres, të cilët, me aq sa mundën, viteve të fundit u kujdesën për ta mbajtur më këmbë duke bërë ndonjë riparim me shpenzimet e tyre. Gjithsesi, ata nuk mundën ta mbronin urën, por asnjëherë nuk do ta harrojnë si toponim vendas: Ura e Gurit,”- shkruan redaktori Sejdin Cekani, në një postim në Facebook.

Lajmi i shembjes së urës në fjalë, do të përcillej me trishtim edhe nga studiuesi i mirënjohur grek i urave të gurta në Greqi dhe Shqipëri, Spiros Mantas.

“Ura e Polisit mori fund dje. Ishte afër Elbasanit, në zonën e Polisit, poshtë fshatit me të njëjtin emër, ku kalonte Egnatia e lashtë,”- u shpreh ndër të tjera Mantas.

Gushtin e vitit 2020, në një kronikë të “ABC News”, banorët e zonës do të bënin thirrje për restaurim të menjëhershëm.

“Ajo përbën rrezik tashmë, kërkon një ndërhyrje urgjente, sa më të shpejtë! Do të bjerë. Do të harrojë gjithçka, edhe historinë,”- deklaroi asokohe një banor.

Ndonëse një segment i çmuar për historinë shqiptare, Ura e Gurit nuk mori asnjëherë vëmendjen e duhur.

“Ka ca tabela gjatë rrugës me copa dërrase, aspak estetike, që nuk i shërbejnë turizmit,”- do të rrëfente 2 vite më parë një vendas, në kronikën e lartpërmendur.

Urë e shkelur shekuj më parë nga këmba e njeriut, e përdorur për të luftuar, për t’ia mbathur, për të komunikuar, e që në fund zhduket prej mungesës së një fondi modest.

Një popull pa histori është një popull pa të ardhme – thënie kjo që na u përcoll përgjatë zhurmënajës së Teatrit Kombëtar,  e që zë vend dhe këtu, në injorimin dhe mosinteresimin e autoriteteve ndaj Urës së Gurit.

Si për ironi të fatit, sot, kryeministri i vendit publikoi disa fotografi të sallës së re të pritjes së udhëtarëve VIP në aeroportin “Nënë Tereza”. Në luksin që përfshinte hapësirën në fjalë vihej re një frymë folklorike e paraqitur përmes motiveve tradicionale. Përpjekje kjo për të shpërfaqur idenë e dashamirësisë ndaj historisë e identitetit, në kohën kur njëra këmbë e lëshoi në tokë Urën e Polisit, për hiçgjë investim. E ardhme që tentohet të ndërtohet me arrogancë, ndonëse pa të shkuarën nuk ecet para./ @Zoom.al