Aplikacion
Ndryshimet e miratura me konsensus mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike parashikojnë rritjen e tavanit të financimit dhe kohës për reklama televizive për partitë gjatë fushatës elektorale, si dhe disa afate të reja që lidhen me votën e Diasporës.
Sipas ndryshimeve të reja partitë politike nuk do të pengohen më të shpenzojnë para në fushatë nga burime të tjera private, duke ngritur nivelin e këtij financimi deri në 5 herë më shumë se sa fondi i përfituar nga buxheti i shtetit. Më parë kushtëzimi i këtij financimi ishte deri në 3-fish më shumë se sa buxheti publik. Po ashtu u rrit dhe pragu i financimit nga paratë personale të kandidatit nga 1 milionë deri në 3 milionë lekë.
Por ndryshimet e fundit shihen nga ekspertët vetëm si arnime teknike dhe anashkaluan problematikat themelore të hasura në proceset e mëparshme zgjedhore, si dhe rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që janë aktive në monitorimin e proceseve zgjedhore i thanë BIRN që politika humbi shansin për të bërë një reformë reale që do të garantonte standardet demokratike.
“Janë të vonuara, janë teknike dhe të imponuara nga problematika të lindura në përgatitjen e infrastrukturës për votën e Diasporës”, tha për BIRN, Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike.
“Ky është një tjetër shans i humbur për të pasur konsensus politik dhe për të bërë ndryshime themelore për zgjedhjet”, vëren Krasniqi, duke lënë jashtë diskutimit, sipas tij, kategoritë kryesore që përbëjnë një proces zgjedhor, kandidatët, subjektet politike, financime dhe standardet e fushatës.
Si pasojë ai sugjeron se problematikat e konstatuara në proceset e mëparshme zgjedhore mbeten të pazgjidhura dhe në këto zgjedhje.
“Aktorët politikë nuk plotësojnë kriterin e subjekteve demokratike që do të duhej të ishin transparente dhe llogaridhënëse, financimet ngelet ende gropë e zezë e politikës shqiptare, financimet informale ngelen të pakontrolluara në sistemin aktual përpara zgjedhjeve dhe për më tepër financime që lidhen me votën e Diasporës dhe raporti i partive me shtetin ngelet i brishtë”, tha Krasniqi.
Dhe po ashtu mbeten të paadresuara, sipas tij, një sërë elementesh që lidhen me lobimin, kontrollin partiak të sistemit të votimit, ndikimet informale dhe klientelizmin apo risqe të tjera të shit-blerjes së votës
Edhe drejtori ekzekutiv i “Qëndresa Qytetare”, Rigels Xhemollari, nuk i konsideron ndryshimet e fundit si një ‘reformë zgjedhore’, por si forcim i mekanizmave elektorale në shërbim të partive të mëdha.
“Ndryshimet nuk i shoh thelbësore, nuk adresojnë krimin zgjedhor, përdorimin e shtetit në fushatë, apo financimin e paligjshëm”, tha Xhemollari për BIRN.
Duke analizuar dispozitat e reja ligjore të miratura me konsensus ai sugjeron se rritja e financimit dhe mundësia e veteofrimit të kandidatëve është një mekanizëm stimulues për listën preferenciale, ku partitë synojnë të angazhojnë individë potencialisht të fuqishëm ekonomikisht.
Ndërsa rritjen e kohës televizive për partitë gjatë fushatës, Xhemollari e cilëson këtë “një mekanizëm për të rritur dominancën e partive të mëdha përkundrejt partive të vogla dhe të reja, të cilat nuk do të kenë kohë e për rrjedhojë do jenë të disavantazhaura”.
Marrëveshjet e minutës së fundit të dy partive të mëdha politike kanë anashkaluar dhe rekomandimet e raporteve të vëzhguesve ndërkombëtarë në proceset e mëparshme zgjedhore kryesisht rekomandimin për depolitizim të administratës zgjedhore.
“Me këto ndryshime rrëzohet edhe njëherë shpresa për ngritjen e një komisioni zgjedhor të depolitizuar, siç do të ishte ai për numërimin e votave të Diasporës pasi partitë nuk janë gati të lëshojnë në këtë drejtim, pavarësisht përpjekjeve të ndërkombëtareve”, theksoi drejtuesi i “QQ”.
Kjo është hera e dytë që PS e PD bashkojnë votat për të bërë ndryshime në ligjin zgjedhor pasi disa muaj më parë ata vendosën të drejtën e votimit me postë diasporës dhe ndryshuan formulën e listave të kandidatëve duke i mbyllur ato më shumë në dorë të kryetarëve.
Tentativa për një reformë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse zgjedhore dështoi pasi komisioni i posaçëm i ngritur për këtë qëllim u mbyll pa asnjë rezultat për shkak të mungesës së vullnetit politik.BIRN