zoom

Aktualitet

“Ndihmë, po humbas gjak” – Shqiptarja plagoset në Angli nga ish-bashkëshorti. Tmerrohen kalimtarët

Një shqiptare u plagos rëndë nga ish-bashkëshorti i saj vetëm pak minuta pasi kishte lënë fëmijët në shkollë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Luton, në Angli, ku jeton shqiptarja së bashku me fëmijët e saj.

Mëngjesin e kësaj të marte, pasi kishte lënë fëmijët në shkollë, rrugën ia preu ish-bashkëshorti, i cili, sipas dëshmive të personave që ishin aty në atë moment, ai ishte bërë i dhunshëm dhe agresiv.

“Ishte e tmerrshme, brutale. Gruaja u ndoq në rrugë nga një burrë, i cili e kapi nga fyti dhe më pas i vendosin dorën në gojë që të mos bërtiste dot.”

“Unë njoh njerëz afër vendit ku ajo jeton dhe mesa duket është me origjinë nga Shqipëria. Ajo jeton me fëmijët e saj që shkojnë në shkollën lokale.”

“Gruaja ka pasur të gjitha llojet e problemeve me ish-bashkëshortin e saj që u shfaq dhe u bë i dhunshëm dhe agresiv”, ishin disa nga dëshmitë e fqinjëve.

Pas plagosjes, shqiptarja e shtrirë përtokë nisi të bërtiste për ndihmë.

“E pashë gruan të shtrirë në trotuar. Ajo po qante dhe bërtiste “më ndihmo, më ndihmo” në anglisht. Ajo gjithashtu bërtiste “Po humbas gjak”, tregoi një prej dëshmitarëve.

Pas ngjarjes, policia vendase arrestoi burrin që akuzohet si autor.