zoom

Blog

NDIHMË! A ka njeri këtu?

Nga Denisa Skodi

Po vrapoj. Dikush më është vënë pas. Aaaaaaaaa kam frikë. Ia mbath me sa mundem, ngjis me shpejtësi shkallët dhe trokas në dyer. S’e hap askush, s’më ndihmojnë. I shoh si largohen të gjithë, ikin. Jam vetëm! Moosss dhe……kaq. Zgjohem.

Ky është makthi që shoh së fundmi. Armata e të larguarve “për një jetë më të mirë” më përndjek në gjumë. Për kushedi ç’arsye, ikja e të tjerëve nga ky vend më ka përfshirë jo pak. Mund të zgjedh ta mbaj larg, por diçka më ngacmon në këtë mes, më mbyt. Nuk e di çfarë më torturon më shumë, malli që do të kem apo fjalët që nuk u dhashë zë. Si mund t’u thoja: Qëndroni?

S’munda të bindja dy miqtë e mi të mirë të qëndronin në Shqipëri. Sot jetojnë ne anën tjetër të oqeanit, si prindër të dy fëmijëve. Dy fëmijë që mund të kishin lindur këtu, mes faturave të papaguara, borxheve dhe 15-ditëshave të fundit të rrogës.

Nuk munda të mbaja këtu as ish-kolegen. E trishtë si një 20 e pak vjeçare, dikur e bindur se gjërat këtu do të merrnin për mirë, iku.

Iku edhe fqinja ime. “Ky vend s’bëhet”, tha një ditë dhe të nesërmen nuk e pamë më. Thjesht mblodhi ato pak gjëra që kishte ndër vite dhe iku.

“Pse s’ikim të gjithë?”, do ishte skenari i një mendjeje hakmarrëse. Të lëmë të jetojnë këtu vetëm ata, zotat e karriges së ngrohtë dhe puplore të pushtetit. Në verë t’i vizitojnë emigrantët, sa për të ajrosur shtëpitë e bërë dasma, në shtator vajzat dhe djemtë eskortë që kthehen me xhepat e mbushur dhe Instagram-in e freskuar. Në dimër le të vegjetojnë.

Po jetojmë një eksod, që në rresht për një po vendos gjithkënd: artistë, intelektualë, mësues, infermierë, rrobaqepës apo pastiçierë. Të ikësh në kohë të paqta nga toka jote! Sepse këtu mundesh thjesht të shtysh muajin. Punë s’ka se s’ka kryeministra, punë ka por s’kemi miq, kafe pimë se çfarë të bëjmë tjetër, hobi kemi por s’kemi të ardhura, s’dimë të shkruajmë se mungojnë filtrat arsimore, rregullat i shkelim se s’kemi frikë.

Po ia mbath truri, shpirti i këtij vendi. Politikë mbaj dorën! Po unë pse, unë pse rri?