zoom

Aktualitet

Ndeshja Shqipëri-Çeki/ Policia merr masa, bllokohen rrugët

Kombëtarja Shqiptare do të përballet me Çekinë në fushën e blertë ditën e nesërme.

Për të garantuar rendin dhe sigurinë, Policia e Shtetit ka marrë masa duke penguar qarkullimin në disa rrugë kryesore të Tiranës.

Bllokimi i rrugëve do të nisë nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes.

Njoftimi i plotë:

Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e ndeshjes së futbollit Shqipëri-Çeki, konsistojnë te:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Çekisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

-Menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:

-Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n;

-Gardën e Republikës;

-Policinë Bashkiake;

-Shërbimin Zjarrfikës;

-Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);

-Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.

Gjithashtu, janë vendosur kontakte dhe po bashkëpunohet dhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Çekisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 16 nëntor 2024, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.