zoom

Sport

Ndërron jetë Nuri Bylyku, ish-kapiteni i Tiranës së madhe të viteve 60′

Shuhet legjenda e Tiranës, Nuri Bylyku. Ish-mesfushori luftarak i viteve 60’ ndërroi jetë mbrëmjen e të martës në moshën 85-vjeçare.

Bylyku lindi më 10 prill të vitit 1937 në Tiranë, hapat e parë i hodhi te klubi bardheblu. Pasi kreu shërbimin ushtarak në radhët e Partizanit, ku u shpall edhe kampion, u rikthye sërish te Tirana, duke fituar trofe të rëndësishëm.

Nuri Bylyku, ishte kapiteni i parë i skuadrës së Tiranës, që në përfundim të sezonit 1964-65, ngriti trofeun e titullit kampion, duke thyer hegjemoninë e Partizanit dhe Dinamos në futbollin shqiptar.

Pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur, Bylyku, nuk u largua nga klubi i Tiranës, duke dhënë kontributin e tij si trajner apo në rolet drejtuese në klubin kryeqytetas për vite me radhë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i shprehu ngushëllime familjes, ndërsa tha se komuniteti ka humbur një persoanlitet me shumë vlera.

“I trishtuar për ndarjen nga jeta të një figure të madhe të futbollit shqiptar siç ishte Nuri Bylyku!

Familja sot është në zi, pasi ka humbur një personalitet me shumë vlera, një ikonë, që shkroi historinë me klubin bardheblu dhe i dha gjithçka futbollit gjatë gjithë jetës së tij.

Në emër edhe të komunitetit të futbollit, dua t’i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Bylyku, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm! Lamtumirë Nuri Bylyku!”, shkruan Duka. /zoom.al/