zoom

Bota

Ndërron jetë në moshën 99-vjeçare Princi Philip, bashkëshorti i Mbretëreshës Elisabeth II

Ka ndërruar sot jetë në moshën 99-vjeçare Princi Philip, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeth II.

Një humbje e rëndë jo vetëm për Familjen Mbretërore por mbarë kombin britanik, ku sot flamujt janë ulur në gjysmështizë në nderim të lartmadhërisë.

Duka i Edinburgut i kaloi ditët e tij të fundit në Kështjellën Windsor në krah të gruas së tgij, pas kishte qëndruar për afro 28 netë në spital. Mbretëresha lajmëroi vdekjen e bashkëshortit të saj mesditën e sotme përmes një deklarate të Pallatit Buckingham.

“Me hidhërim të thellë Mbretëresha shpall vdekjen e bashkëshortit të saj të dashur, lartmadhërisë së Tij Mbretërore Princit Philip, Dukës së Edinburgut. Lartmadhëria e Tij ndërroi jetë paqësisht këtë mëngjes në Kështjellën Windsor. Njoftimet e mëtejshme do të bëhen në kohën e duhur. Familja mbretërore bashkohet me njerëzit anekënd botës për të mbajtur zi për humbjen e tij”, thuhet në njoftim.

Duka ishte burimi më i madh i mbështetjes së Mbretëreshës, i besuari i saj dhe njeriu tek i cili ajo mbështetej mbi të gjithë të tjerët. “Ai ka qenë thjesht forca ime dhe i besuari përgjatë këtyre viteve”, tha Mbretëresha. “Unë dhe gjithë familja e tij, ky vend dhe shumë të tjerë, i kemi atij një borxh të madh”, shtoi ajo.

Një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Boris Johnson, i cili tha se Princi frymëzoi jetën shumë të rinjve.  Duke folur në Downing Street, kryeministri shtoi: “Ai ndihmoi për të drejtuar Familjen Mbretërore dhe monarkinë në mënyrë që ajo të mbetet një institucion i padiskutueshëm jetik për ekuilibrin dhe lumturinë e jetës sonë si komb”.

Princi Philip vuante nga një sëmundje e rëndë dhe gjendja e tij ishte përkeqësuar ndjeshëm kohët e fundit.  I njohur ndryshe si Duka i Edinburgut, ai do të martohej me Princeshën Elizabeth në vitin 1947, e cila mandej do të bëhej mbretëreshë. Ata kanë katër fëmijë, tetë nipër e mbesa dhe 10 stërnipa.