zoom

Lajme

Ndërhyrja në zgjedhjet e kaluara, ish-ministri shqiptar denoncohet. Reagon BDI: Përndjekje!

Ish-ministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut akuzohet se ka ndërhyrë në zgjedhjet e kaluara, kur ishte aktiv si pjesë e BDI-së.

“Në buletinin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, i cili evidenton vepra penale më karakteristike dhe publikohet çdo ditë, për datën 25 korrik 2024, diku në pozitën e 20-të në dokument, thuhet se dyshohet një 39-vjeçar nga Kërçova për veprën penale të “pengimit të drejtësisë”, e kryer një ditë para zgjedhjeve parlamentare”, raportoi “Televizioni Telma”.

Sipas këtij televizioni, pas inicialeve K.B. fshihet emri i një ministri në detyrë gjatë asaj periudhe. Ministria e Brendshme nuk bëri me dije se për këtë vepër serioze të kryer ndaj një shefi policie po procedojnë një ish-funksionar të lartë, pra një ministër.

Tri ditë më vonë u zbulua se i dyshuari është ish-ministri Kreshnik Bekteshi.

Ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, sipas policisë i ka dërguar mesazhe shefit të policisë nga Ohri, që kanë të bëjnë me aktivitetet policore pas dyshimeve të raportuara për parregullsi zgjedhore. Policia ka kontrolluar akuzat për keqpërdorim të të dhënave personale, pra për mbledhjen e të dhënave nga votuesit kurse kryeshefi i policisë ka marrë një mesazh nga ministri Bekteshi.

Por, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, e ka quajtur përndjekje klasike politike, kallëzimin penal të ngritur nga Policia e Ohrit, ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, shkruan gazeta “Lajm”.

“Përndjekje klasike politike! Por, ta dini, kjo NUK KALON!

Shpifjet, kërcënimet, shantazhet janë 0 për Kreshnikun dhe të gjithë ne. Turpin, skandalet dhe vazalitetin, shkeljen e vullnetit të votuesit shqiptar të shoqëruar me dështime të përditshme e të gërditshme nuk mund t’i mbuloni me përndjekje politike për gjoja ekzistimin e ndonjë vepre zgjedhore, ku humbja për ju ka qenë e madhe, shumë e madhe.

Ta dini se do të na keni përballë, me guxim dhe këmbngulje në misionin tonë fisnik për të mbrojtur dinjitetit e votuesit shqiptar”, thuhet në reagimin e nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi. /ZOOM.AL/