zoom

Aktualitet

Ndalohet nëna e foshnjës së braktisur në parkingun nëntokësor në Tiranë

Nëna e foshnjës që u gjet e braktisur në parkingun nëntokësor në Tiranë është ndaluar nga policia.

Bëhet fjalë për 29-vjeçaren me iniciale E.I., e lindur në Pogradec dhe banuese në rrugën “3 Dëshmorët në Tiranë”.

Foshnja u gjet paraditen e sotme (8 nëntor) brenda në parkingun nëntokësor të një pallati në Yzberisht.

I porsalinduri ishte mbështjelle në batanije dhe ishte vendosur në tokë. Të qarat e foshnjes alarmuan banorët, të cilët njoftuan policinë.

Mësohet se foshnja ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe aktualisht është intubuar.

“Më datë 08.11.2023, në bodrumin e një pallati në Yzberisht, është gjetur e braktisur një foshnjë e sapolindur.

Shërbimet e Policisë i kanë ofruar  menjëherë ndihmën e parë foshnjës, e cila është transportuar me automjetin e Policisë, së bashku me stafin mjekësor, në spital.  Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, raportoi policia.