zoom

Sport

Natë e keqe për shqiptarët e Serie A, portieri Berisha “ngel”, Bajramin e ndal VAR-i

Në dy sfidat e fundit të Serie A, Empoli-Lecce dhe Cagliari-Sassuolo, zbritën në fushë jo pak, por 5 legjionarë kuqezi. Për fat të keq, kjo nuk ishte mbrëmja e tyre perfekte, mbi të gjitha për Etrit Berishën.

Gardiani kuqezi ishte përgjegjës për golin e Lecce-s në minutën e 64-ët, duke mos kontrolluar si duhet topin që i përfundoi poshtë këmbëve. Në përfundim të sfidës, Berisha rezultoi lojtari më pak i vlerësuar nota 4,5:

“Nuk është se nuk e meritonte të ishte mes dy shtyllave, por gafa në golin e shënuar nga Banda ishte shumë i rëndë”. Si gjithnjë, konstant me paraqitjen e tij ishte Ardian Ismajli, i vlerësuar me notën 6: “Ndeshje e mirë në mbrojtje.

Mban mirë fushën, nuk befasohet nga sulmuesit kundërshtarë”.

Me notën 5,5 u vlerësua sulmuesi Stiven Shpendi: “Ka shpejtësi, por nuk ka eksperiencë në fushë”. Titullar dhe 86 minuta në fushë qëndroi Ylber Ramadani. Mesfushori kuqezi u ndëshkua sërish me karton të verdhë, por fitoi duartrokitjet e publikut pasi dhuroi një paraqitje pozitive, i vlerësuar me notën 6: “Ka sasi dhe cilësi në mesfushë. Vrapon deri në fund, sakrifikon edhe pa top”, shkruajnë mediat italiane.

Ka humbur jo pak nga statusi i tij si titullar Nedim Bajrami, edhe ndaj Cagliarit u hodh në fushë në minutën e 73-të. Fantazisti kuqezi realizoi një gol, por VAR anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje. Në përfundim të sfidës u vlerësua me notën 5.5, pa arritur të shkëlqejë siç duhet. /ZOOM.AL/