Aplikacion
Në të dhënat e sapopublikuara mbi ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, Banka e Shqipërisë sqaron se injektimi mesatar ditor nëpërmjet operacioneve injektuese të likuiditetit me maturim 1-13 javë është rritur në 45.41 miliardë lekë, kundrejt 34.89 miliardë lekësh në tremujorin e mëparshëm.
Por me gjithë rritjen e injektimeve, mungesa e lekut është kthyer në vlera mbi mesataren e vitit 2022 dhe është stabilizuar në fund të periudhës rreth nivelit 56 miliardë lekë, kundrejt 36 miliardë lekë në fillim të tremujorit të dytë.
Banka e Shqipërisë informon se faktori kryesor i rritjes së mungesës ka qenë akumulimi i likuiditetit në llogarinë e qeverisë për rreth 32.7 miliardë lekë, 5.7 miliardë prej të cilave janë përdorur për të ulur shumën e marrëveshjeve SËAP me Bankën e Shqipërisë, si dhe efekti negativ i rritjes së parasë në qarkullim për 6.1 miliardë lekë me përqendrim në muajin qershor.
Në funksion të operacioneve për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë, ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, për mesatarisht 32.70 miliardë lekë ose 68%, kundrejt 64% në tremujorin e mëparshëm.
“Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të injektimeve të gjata nga 9.6 miliardë lekësh në fillim të tremujorit në 15.9 miliardë lekë në fund të tij, pesha e injektimeve të gjata nuk është rritur, pasi akumulimi i likuiditetit në llogaritë e qeverisë ka qenë më i shpejtë se vlerësimet tona”, nënvizon Banka e Shqipërisë./ Scan Tv