zoom

Blog

Mrekullia Dumani: Si të blesh pasuri pa miliona (Nëse e di sekretin)!

NGA Flamur Vezaj

Altin Dumani është dëshmia e gjallë se në Shqipëri ka ende mrekulli ekonomike. Me një pagë shtetërore dhe pa ndonjë biznes të deklaruar, ai arriti të ndërtojë një portofol të lakmueshëm pronash. Apartamente, dyqane dhe një vilë luksoze, të gjitha të grumbulluara me një aftësi të rrallë për të gjetur marrëveshjet më të mira në treg. Për qytetarët e zakonshëm, mbetet pyetja: pse të lodhesh me kredi dhe punë të rëndë, kur mund të gjesh një vjehërr bujar apo një kontratë që vetë banka do ta kishte zili?

Madje, Dumani pati fatin të jetojë falas për dy vite në një apartament që ende nuk e kishte blerë. Një privilegj i vogël për një njeri me aftësi të mëdha. E kur erdhi koha për ta blerë, çmimi ishte aq i favorshëm, saqë mund të mendosh se tregu i pasurive të paluajtshme funksionon ndryshe për disa persona të veçantë.

Të tjerë paguajnë miliona për një apartament të vogël në Tiranë, ndërsa Dumani siguron prona me çmime që të bëjnë të dyshosh nëse kemi të bëjmë me një prokuror apo një magjistar të pasurive të paluajtshme.

E sigurisht, kur gjen çmime kaq fantastike, pse të mos bësh një investim të mençur? Një analizë e kolegëve të emisionit “PLUG” zbuloi disa detaje interesante: Dumani ka blerë një apartament dhe një dyqan nga shtetasi A.Pango, një mashtrues i dënuar me 6 vjet burg për shitjen e apartamenteve nga tre apo katër herë.

Po të ishte dikush tjetër, anëtaret e Vetingut dhe ndërkombëtari i OMN-së, do ta pyesnin, se si u fut në një marrëveshje me një njeri që bënte “tregti” me mashtrime të rënda. Por jo, Dumani thjesht ka një intuitë të jashtëzakonshme për të gjetur “rastet e arta”. Me sa duket, edhe në botën e mashtruesve të dënuar, ai arrin të dalë fitimtar.

Por ironia më e madhe është vetingu. Ky proces i famshëm, që supozohej të pastronte drejtësinë nga të korruptuarit, nuk pati sy për të parë këto “vogëlsira”. Nuk pati pyetje të sikletshme, nuk pati llogari të thella, vetëm një vulë e shpejtë: “I pastër!”. Po të ishte ndonjë tjetër, do të rrëmohej çdo qindarkë e kursyer, por për Dumanin, u mjaftuan me arsyetimin e thjeshtë: “Ky thjesht di të kursejë më mirë se të tjerët.”

Dhe kështu, njeriu që kaloi vetingun pa shumë mundim, tani ka barrën fisnike për të hetuar të tjerët. Ai, që i shpëtoi çdo pyetjeje të pakëndshme, tani do t’i bëjë pyetje të tjerëve. Ai, që siguroi prona në mënyra të çuditshme, tani do të zbulojë skemat e korrupsionit. A nuk është kjo një histori frymëzuese për drejtësinë shqiptare?

Në fund të ditës, leksioni është i qartë: sistemi ynë nuk është për të gjithë. Disa duhet të kalojnë në sitë të imët, ndërsa të tjerë thjesht rrëshqasin si me vaj. Për qytetarët e zakonshëm, zgjedhja është e qartë: ose bëhuni i ndershëm si Dumani por edhe me fat e nuhatës i mirë i tregut imobilar e ndërtuesve “të ndershëm” ose përgatituni për një hetim të mirëfilltë nga të gjitha krahët!

P.S. Të gjitha këto dyshime, të renditura më lart, janë natyrisht thjesht konkluzione të arritura në fazën e hetimeve paraprake, bazuar në atë magjiken “dyshimin e arsyeshëm”, një formulë që SPAK-u duket se e ka kthyer në refrenin e preferuar kohët e fundit. Sepse, siç e dimë tashmë, për disa individë mjafton një hije dyshimi për të nisur hetime të bujshme, ndërsa për të tjerë, edhe faktet më të habitshme mbeten thjesht… “rastësi të lumtura”./Publik.al