zoom

Ide & Blog

Mos tradhto veten për një burrë që të tradhton…

Nga Aulona Musta

Ngjarjet që ndodhin në ambientin që na rrethon, lagjen, qytetin, shtetin, etj më bëjnë të reflektoj e të flas jo aq shumë për historinë konkrete, me dëshirën për të bërë ca thashetheme e për të shtyrë kohën deri në ngjarjen e radhës, por për fenomenin i cili shkon përtej një historie që bëhet publike dhe mediatike për shkak të emrave të përveçëm që ka brenda.

Dua të flas për fenomenin, që historia e përveçme e nxjerr edhe më në pah falë mundësisë që i jep kujtdo të japë mendimin e tij nëpër komente dhe që të ndihmon ty të kuptosh shumë, të kuptosh për mendësinë e një shoqërie të tërë, vajzash dhe grash që të vetmin qëllim në jetë kanë burrin, secila për arsye të ndryshme: dikush për të shëruar e për të shpëtuar nga traumat e fëmijërisë e adoleshencës me meshkuj familjar të dhunshëm, dikush për t’i shpëtuar varfërisë, dikush për të mbushur boshllëqet e varfërisë shpirtërore dhe mendore me pasuri materiale, dikush për të përmbushur ëndrrat e fëmijërisë me princin me kal ku jetuan të lumtur për gjithmonë, etj, etj.

Arsye të ndryshme, përfundimi i njëjtë: varësia nga një burrë! Sepse kështu na kanë mësuar, rritur, edukuar, bërë lavazh truri. Burri mbi çdo gjë! Burri para së gjithash. Burri padyshim para vetes tonë! Burri deri në frymën e fundit…që jepet për burrin padyshim.

Burri padyshim që është shumë i rëndësishëm, por kur shihet si partner, jo si Zot i jetës tënde. Burri është shumë i rëndësishëm po kur të plotëson, jo kur të zotëron!

Dashuria është motorr i një jete të lumtur, por kur është e shëndetshme, jo kur të sëmurë!

Vetja është gjithmonë e para. Dhe vetja ekziston edhe kur burri s’të do më. Edhe kur burri të lë. Edhe kur burri ikën. Edhe kur burri të “ndërron”.

Vetja, ajo s’të lë asnjëherë në baltë, prandaj të lutem mos e tradhëto për një burrë që të tradhëton.