zoom

Blog

Monedha e shekullit të 21 dhe zhvlerësimi i saj nga socialistët

Unë u rrita në një apartament të vogël, 60 m2. Në të njëjtin apartament në të cilin po rriten dy fëmijët e vëllait tim.

Por ndërsa unë kisha mundësi të ndiqja një shkollë shtetërore e cila më dha të gjitha mundësitë të krijoja aftësitë edhe njohuritë  për të qenë sot mbajtëse e titullit më prestigjoz ndërkombëtar edhe të mirëpaguar në Financë, dy fëmijët e vëllait tim të cilët ndjekin edhe ata arsim shtetëror, trashëguan apartamentin por jo mundësinë për t’u arsimuar.

Këtë e tregojnë rezultatet e testit PISA i cili mat performancën e nxënësve 15 vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë. Krahasuar me vitin 2018, Shqipëria kishte humbur 47 pikë në lexim, 69 pikë në matematikë dhe 41 vende në shkencë, duke shënuar kështu përkeqësimin më të madh në nivel global.

Por ç’është më e keqja, performanca e një nxënësi shqiptar në testin PISA është sot më e ulët se në vitin 2009.

Për këdo anëtar të Partisë Socialiste e cila po përgatitet të valvisë flamujt e arritjeve imagjinare në kongresin e afërt, këto rreshta mund të jenë mosmirënjohje e madhe.

E në doni të më konsideroni opozitare apo edhe më keq tradhtare por më besoni, nuk kam asnjë mundësi tjetër të tregoj trishtimin që më kaplon dhe më zë frymën duke parë Kryeministrin e vendit i cili ironikisht ditën kur testi i PISA tregonte që arsimimi edhe edukimi i fëmijëve tanë, po përkeqësohet në mënyrë progresive, ai harxhoi 1/3 e ditës së punës së tij për t’u marrë me unifikimin estetik të dyqaneve në qytetin e Luigj Gurakuqit, ministrit të parë të arsimit.

Ka disa arsye përse më shqetësojnë rezultatet e testit PISA.  Testet e PISA janë parashikuesi më i mirë afatgjatë i prosperitetit ekonomik edhe social të një vendi për dekadat e ardhshme.

Sot jetojmë në kohën e revolucionit të katërt industrial i cili vetëm për vitin 2022 ka ndryshuar tërësisht kërkesat për njohuri dhe dije për 133 milion vende pune në rang global. Sot në shekullin e 21  monedha e ekonomisë së çdo kombi  është dija.  Ajo nuk mund të shtypet nga asnjë bankë, edhe për më keq nuk mund të trashëgohet. Ajo zhvlerësohet ndërsa tregjet e punës evoluojnë dhe kur individët humbasin aftësitë dhe dijet bëhen të pavlefshëm.

Fshati që duket nuk do kallauz. Modelin tonë ekonomik e kemi në bazuar në shfrytëzimin pakriter të burimeve natyrore dhe gjeografike.

Ndaj nafta e zbuluar në Shpirag, turizmi masiv edhe vlerësimi i pajustifikuar ekonomikisht i lekut kanë një korrelacion perfekt në kah të kundërt me zhvlerësimin e dijes.

Hapni sytë dhe shikoni që në këto 30 vite,edhe për më keq në 10 vitet që “do të Rilindnim Shqipërinë” ajo që kemi arritur të bëjmë kemi  konvertuar me sukses burimet kombëtare në pasuri për një grusht njerëzish dhe konsum, duke shkatërruar aftësitë e kapitalit njerëzor.

A mund ta themi me gojën plot që ne me narrativën tonë kemi ndikuar në zhvlerësimin e arsimit? Vlerësimi i arsimit është kusht i domosdoshëm për ndërtimin e një sistemi arsimor të klasit botëror, i cili mundëson më pas një ekonomi të klasit botëror.

Se sa një vend e vlerëson arsimin varet edhe nga perceptimi se si arsimi dhe ekspertiza ndikojnë në suksesin e vendit. Edhe pse ekonomia jonë e tranzicionit nuk u mbështet në njohuritë dhe aftësitë e qytetarëve por në të tjera marifete që nuk dua t’i zë në gojë, ne nuk mund të vazhdojmë të ushqejmë iluzionin e përparimit të arsimit.

Në këtë vend flitet për digjitalizimin e shërbimeve shtetërore për satelitë, për qendrat e teknologjisë, ku të rinjtë do të mësojnë gjuhët e programimin edhe kaq mjafton që ta quajnë veten programues.

Ne duam të krijojmë përceptimin se po digjitalizohemi dhe do të kemi një vend nderi në  botën e Revolucionit digjital, por kjo nuk është e vërtetë.

E vërteta është se nuk bëhesh dot programues nëse mëson një apo dy gjuhë programimi. E vërteta është se për t’u bërë gati për Revolucionin e Katërt industrial duhet të zgjerojmë rolin e shkencës, teknologjisë dhe matematikës në kurrikulat shkollore siç po bëjnë sot  Belgjika, Spanja, Bullgaria, Portugalia dhe Holanda; apo të reduktojnë pabarazitë në aksesin e sistemit cilësor arsimor siç po bëjnë sot Austria, Kroacia, Republika Çeke dhe Rumania.

E vërteta është se fakulteti i shkencave është në prag të mbylljes për shkak të kërkesave të ulta për të studiuar matematikë, kimi, fizikë. E vërteta është se nëse në 2013 siç me të drejtë vërente lideri ynë “injoranca ishte ngritur në argument”, sot injoranca është i vetmi model që promovohet. Zhvillimi e ka bazën tek sigurimi edhe shpërndarja e njohurive dhe përkthimi i tyre në vende pune, rritje ekonomike dhe progres social.

Këtë paradigmë nuk e ndryshojmë dot sikur gjithë dyqanet e ndërtesat e Shqipërisë të unifikohen.

Bibla thotë që Moisiu i udhëhoqi hebrenjtë në një udhëtim të mundimshëm 40-vjeçar nëpër shkretëtirë vetëm për t’i sjellë në (praktikisht) të vetmin vend të Lindjes së Mesme pa naftë.

Ndoshta Moisiu e dinte që vendet pa burime natyrore si Finlanda, Singapori, Japonia, Izraeli  do të zhvilloheshin më shumë për shkak se do të detyroheshin të shfrytëzonin  talentin dhe inteligjencën e njerëzve të tyre, duke e vënë theksin tek arsimi dhe edukimi.

Ju mund të më mallkoni mua që kritikoj kryetarin i cili për fatin tonë të keq me dashje estetikën na e ofron si zhvillimin edhe fasadën si brendi.

Të gjithë bashkë mund të mallkojmë zotin, i cili ndryshe nga ç’bëri me finlandezët, na dha Shpiragun për ta shfrytëzuar, mund ta mallkojmë  edhe që dha një natyrë mahnitëse për të dhunuar, mund ta mallkojmë për çdo arsye që ushqeu përtacinë tonë edhe iluzionet afatshkurtra të zhvillimit, duke ju hequr mundësinë fëmijëve tanë për t’u arsimuar dhe edukuar sic duhet.

Mund të mallkojmë njëri-tjetrin, majtas, djathtas, brenda e jashtë por një gjë është e sigurt, të gjithë ne, unë, ju, ministret e arsimit, Kryeministri, këto 10 vjet kemi marrë pjesë aktive në formimin e një gjenerate të pavlefshme pa njohuri dhe aftësi.

Rezultatet e fëmijëve tanë tregojnë se ato janë të destinuar të  lëngojnë në një ekonomi ku, përparimi teknologjik dështon të përkthehet në rritje të produktivitetit dhe vendi humbet edhe ato pak aftësi për të konkurruar në një ekonomi globale gjithnjë e më të bazuar në dije.

Nuk di çfarë do të shkruajnë historianët e zhvillimit për ne, por ku shikoj pamundësinë e nipit tim për t’u shkolluar krahasuar me mua , megjithëse të dy u rritëm në 60 m2, jam e sigurt që partia e punës e përqesh sot Partinë Socialiste!