zoom

Politikë

Misteri i Rinasit! A pati takim kokë më kokë Basha-Rama sot?

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi dha disa mesazhe të forta gjatë konferencës për shtyp me kryeminsitrin Rama.

Por, krahas vaksinave që erdhën mbrëmë dhe lajmit se BE mund të lehtësojë lëvizjen e shqiptarëve në territorin e saj, duket se vizita e tij në Tiranë mund të ketë sjellë edhe një rezultat tjetër, i cili lidhet me një kontakt të mundshëm fizik mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.

Fax News ka siguruar pamjet kur kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha janë larguar sot nga aeroporti i Rinasit, në një distancë kohore prej dy minutash mes tyre, ndërkohë që ka aludime se mund të kenë pasur një takim në sallën VIP, në prani të komisionerit për zgjerimin Olover Varhelyi.

Rama dhe komisioneri patën një konferencë të përbashkët mes tyre, ndërkohë që Basha e ka takuar Varhelyi në ambientet e brendshme të Rinasit, ku padiskutim fokusi i bisedës ka qenë mbajtja e zgjedhjeve të së dielës.

Sa i takon zgjedhjeve, komisioneri për zgjerimin tha se duhet të hetohen të gjitha pretendimet e palëve sa i takon fenomenit të blerjes së votave dhe rezultatit final të zgjedhjeve.

“Ne kemi një ambasador vërtetë shumë të mirë në Shqipëri, kështu që ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe për zgjedhjet, jam shumë i kënaqur për punën që ai po bën. Unë kam ndjekur dhe atë që ka thënë OSBEODHIR, pas një fushate të zjarrtë ne na duhen rezultate të qarta.

Ne duhet të shohim të gjitha parregullsitë, qoftë edhe pretendimet për blerjen e votave. Ne na duhet që Kuvendi të nisë nga puna shumë shpejt, pa një Kuvend të plotë nuk mund të bëhen reformat.

Në rast se do të hapet konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë, puna duhet të përshpejtohet, në të gjithë duhet të shohim rezultatet e procesit të apelimit, dhe shpresojmë që Shqipëria të ecë përpara”, tha Varhelyi.