Aplikacion
Në një intervistë të dhënë në “Syri TV”, Mërtiri akuzoi prokurorin e SPAK, Klodian Braho se ka stisur dosjen e inceneratorëve, duke i vënë fakte të pavërteta.
Sipas tij, Lefter Koka dhe gjithë të tjerët që sot janë në burg apo të akuzuar për aferën e inceneratorëve, nuk duhet të ishin aty.
I pyetur se ku kanë shkuar paratë e inceneratorëve, Mërtiri tha se janë investuar më shumë sa kontrata.
“Nëse ju dëshironi që unë të flas në emër të zotit Koka, unë nuk e di pse zoti Koka apo ministria pranoi këtë ofertë nga ana jonë.
Unë di të them që zoti Koka dhe të gjithë ata që janë akuzuar për dosjen e Elbasanit, ndodhen në mënyrë të padrejtë në burg.
A e dini ju se njerëzit sot janë në burg në mënyrë të padrejtë?
Të gjithë faturat që SPAK ka paraqitur në dosjen hetimore janë fatura dhe akte të hetuara që prej vitit 2017. Pra, nuk ishte hera e parë që këto fatura hetoheshin.
E dyta si mundet të thuhet se këtu është vjedhur, është abuzuar, kur vetë vlerësuesi i emëruar nga SPAK, thotë se vlera e investimit për impiantin e përpunimit të mbetjeve në Elbasan, është më e madhe se vlera e kontratës.
E gjithë kjo dosje është dosje e stisur. E gjitha është një dosje e stisur nga prokurori i SPAK. Prokurori quhet Klodian Braho.
Unë mendoj se e ka bërë për arsye që i ka shërbyer dikujt në politikë ose dikujt në privat. Që në momentin e parë kur kjo dosje është prezantuar në gjykatë, avokatët e mi kanë njoftuar se dosja është e ndotur, që do të thotë se është një dosje e bërë nga fillimi deri në fund në mënyrë fiktive dhe jokorrekte.
Provat janë vendosur ashtu siç ka dashur prokurori i SPAK, me qëllim për të më goditur mua dhe familjen time, për arsye të dikujt tjetër që ndoshta nuk ishte në dosje”, tha Meril Mërtiri.
Kur SPAK sekuestroi inceneratorin e Tiranës, pohoi se pronarë “de facto” edhe në impiantin e përpunimit të mbetjeve në Tiranë, janë shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Sipas SPAK, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.