zoom

Aktualitet

Ministrja Olta Xhaçka paraqitet sërish në SPAK për skandalin e portit të Limionit në Sarandë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) mëngjesin e ditës së sotme.

Për të janë të hapura dy çështje hetimi, njëra për denoncimin e deputetëve të PD-së për përdorimin e helikopterëve si dhe për kallëzimet e ish-ushtarakut Artur Meçollari për privatizimet në bazën e Limionit dhe bazën detare të Shëngjinit.

Sa i perket portit te Limionit, kjo bazë ishte pronë e ushtrisë shqiptare deri në korrik të viti 2020, ku me një VKM të qeverisë Rama, iu dha me qira një bashkimi kompanish, “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrëse.

Bëhet fjalë për 265,000 metër katrorë tokë, në një prej zonave më fitimprurëse të Sarandës, për të ndërtuar një kompleks vilash, hotelesh dhe një port turistik jahtesh për ankorimin e 400 mijë anijeve.

Ish-Zv.Komandantit të Forcës Detare, Artur Meçollari, e kallëzoi kontratën në SPAK, me argumentin se dhënia me qera është bërë në shkelje të ligjit, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

“Pronat në përputhje me ligjin nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” konsiderohen si kapacitete operacionale të miratuara nga Presidenti i Republikës në listën e Planit të Përhapjes dhe Vendosjes. Veprimet mbi pronat e Forcave të Armatosura, që konsiderohen kapacitete operacionale, duhet të trajtohen jo vetëm sipas ligjit Nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, por edhe ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” -saktëson Meçollari në padinë e tij.