zoom

Politikë

Ministri rrëzon mediat britanike: Nuk trajtojmë hallexhinjtë e Anglisë

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja hodhi poshtë raportimet në mediat britanike se Shqipëria do të kthehet në kamp refugjatësh për emigrantët e paligjshëm që futen në Britani. Në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, ministri e quajti spekulim dhe theksoi se vendi ynë nuk trajton hallexhinjtë e Anglisë. Manja pranoi se ka një Marrëveshje për trajtimin e personave të dënuar dhe jo emigrantëve të paligjshëm.

“Sot kaluam në Këshillin e Ministrave një marrëveshje me Britaninë dhe Irlandën e Veriut për transferimin e personave të dënuar nga Shqipëria drejt Britanisë dhe anasjelltas. Thjeshtëson procedurat e transfertave të personave të dënuar. Më lejoni të ndaloj pak.

Ka pasur në disa media britanike sikur kjo marrëveshje përfshin transfertën e gjithë refugjatëve. Është një spekulim i pastër mediatik. Është një marrëveshje dypalëshe dhe lidhet me bashkëpunimin juridik në fushën e çështjeve penale dhe nuk ka të bëjë me kategorinë e këtyre hallexhinjve për t’u trajtuar në Shqipëri si kamp refugjatësh. Nuk është në diskutim me asnjë vend të BE-së për të pruitur emigrantë, hallexhinj dhe që nuk kanë probleme me drejtësinë në vendet ku janë.

Nuk do ketë asnjëherë bisedime të kësaj natyre dhe nuk do shërbejë si kamp refugjatësh për interesa ekonomike”, tha Manja.

Postime të lidhura