zoom

Politikë

Kamp refugjatësh në Shqipëri? Rama reagon pas lajmeve në mediat britanike

Mediat britanike vijojnë të insistojnë se emigrantët e paligjshëm që tentojnë të shkojnë në Britani të Madhe mund të akomodohen në një qendër azili në Shqipëri.

Sipas raportimeve, ministrat britanikë janë në negociata me qeverinë dhe po diskutojnë për hapjen e një qendre azili në vendin tonë. Lajmi i raportuar pak muaj më parë është ricikluar sërish.

Qeveria shqiptare i mohon në mënyrë kategorike raportimet. Në një deklaratë për mediat, kryeministri Edi Rama ka mohuar edhe njëherë lajmin e mediave britanike, duke e quajtur të rremë.

Sipas kryeministrit Edi Rama, Shqipëria nuk do të jetë kurrë nga ato vende që do të ketë kampe emigrantësh.

“S’jam këtu për të shpjeguar se pse i bëjnë këto, por meqë më pyesni Shqipëria s’do jetë kurrë një vend ku vendet shumë të pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre, asnjëherë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Britanikja “The Times”, në një artikull të saj ka shkruar se ministrat shqiptarë dhe ato të Mbretërisë së Bashkuar janë në bisedime sekrete për ngritjen e një qendre azili në Shqipëri.

“Ministrat shpresojnë të nënshkruajnë një marrëveshje për dërgimin e emigrantëve, që kalojnë Kanalin drejt Shqipërisë, si një masë kryesore për t’i dhënë fund krizës”, shkruan “The Times”.

Sipas saj, çdo emigrant që vjen ilegalisht në Britani nëpërmjet varkave të vogla, do të dërgohet në Shqipëri brenda 7 ditëve dhe kjo do të kushtojë 100 mijë paund çdo azilkërkues.

Tanimë, nga Shqipëria atyre do t’u vlerësohen kërkesat për azil në Britani. I gjithë procesi do të veprojë si një pengesë kundër kalimit.

“Pas një sërë zhgënjimesh gjatë bisedimeve me vendet e tjera për të pritur emigrantët, shpresat e kabinetit për një marrëveshje me Shqipërinë po rriten”.

Britania është përfshirë në një krizë, pavarësisht ardhjes së dimrit. Kjo sepse vetëm të enjten e kaluar, 1 mijë e 185 persona mbërritën atje me varka të vogla.

Burime brenda qeverisë britanike, u shprehën për “The Times” se bisedimet me “Shqipërinë ishin në zhvillim”, prandaj edhe nuk dhanë shumë detaje.

Sipas “The Times”, edhe pse Olta Xhaçka, ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, e mohoi kategorikisht lajmin, zyrtarët shqiptarë në Londër nuk mohuan bisedimet jozyrtare me ministrat e tyre mbi planin.

Nga ana tjetër, Priti Patel, sekretarja e Brendshme britanike, ka një vit që kërkon një vend të përshtatshëm për një qendër në det të hapur.

Qendrat e përpunimit u krijuan fillimisht nga Australia, e cila dërgoi emigrantë të paligjshëm në një qendër në Papua Guinea e Re, por tani përdor ishullin Nauru të Paqësorit.

Patel shpreson që politika e Mbretërisë së Bashkuar të ketë një ndikim të ngjashëm me atë në Australi.

Sipas Times, kjo zgjidhje po mbahej si opsion rezervë, por është kthyer në një nga prioritetet kryesore për Patel.

Më herët, edhe tabloidi britanik “The Sun”, raportoi se qeveria britanike po bashkëpunon me autoritetet shqiptare për ngritjen e një qendre për azilkërkuesit në Shqipëri. /Zoom.al