zoom

Sport

Milani humbi, por Simeone e vlerëson: Ishte superior deri te kartoni i kuq

Atletico Madrid e mundi Milanin në ndeshjen e radhës në Champions League, Diego Simeone thotë se milanezët ishin superior derisa Kessie mori kartonin e kuq.

Milani dominoi dhe kaloi në avantazh përmes Rafael Leao. Por në minutën e 29 gjithçka ndryshoi në San Siro, pasi Franck Kessie mori kartonin e dytë të verdhë.

Atletico gjeti golin e barazimit me anë të Antoine Griezmann (84’) dhe mori fitoren 2-1 me një penallti shumë të diskutueshme në shtesë të realizuar nga Luis Suarez.

“Le të fillojmë nga e para. Milani ishte superior ndaj nesh, luajti një stil shumë të shpejtë dhe dinamik të futbollit, të cilin ne tashmë e pamë të luante kundër Liverpoolit”, tha Simeone për Sport Mediaset.

“Natyrisht, pas kartonit të kuq, ata filluan të japin territor dhe ne filluam të hynim në një lojë që as nuk e kishim filluar”.

“Pas pushimit, ne dolëm të uritur, duke u përpjekur të shpërthejmë një ekip që ishte i mirë i organizuar. Na duhej vërtet kjo fitore”.

Simeone u pyet nëse gjyqtari kishte ndikuar në lojë, për shembull me kartonin e kuq të Kessie dhe penalltinë jashtëzakonisht të diskutueshme.

“E pranoj kur ishte 11 kundër 11, Milani ishte më i mirë, kjo nuk ka dyshim. Ne luajtëm pjesën e dytë duke vazhduar me gjithçka që kishim”, përfundoi trajneri i Atleticos.