zoom

Politikë

Meta: Do çmontojmë modelin mafioz Rilindas që e mbyti Shqipërinë me mld € borxh

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka prezantuar programin ekonomik të PL dhe thekson se nuk do të lejojë kurrë marrjen e borxheve për investime fasadë.

Ai tha se modeli ekonomik do të mbështetet në përdorimin me efektivitet të fondeve publike, duke rritur investimet dhe shpenzimet sociale me qëllim themelor rritjen e mirëqenies së qytetarëve të të gjitha shtresave.

“Rritja e punësimit dhe e mirëqenies, dhe ulja e kostos së jetesës do të jetë në qendër të politikës ekonomike dhe përgjigja më e fortë ndaj varfërisë.

Ne do të çmontojmë modelin mafioz Rilindas të ekonomisë, bazuar në paranë e pisët, trafiqet, informalitetin dhe korrupsionin.

Ne do të çmontojmë modelin që e mbyti Shqipërinë me miliarda Euro borxh, të cilat i shërbyen korrupsionit dhe asnjëherë qytetarit.

Modeli ynë ekonomik mbështetet tek nxitja e prodhimit, tek eksportet, tek ekonomia e dijes, tek liria dhe klima miqësore ndaj biznesit, si e vetmja mënyrë për thithjen e investimeve te huaja, tek ulja e barrës fiskale dhe formalizimi i ekonomisë, tek kualifikimi i burimeve njerëzore për paga të jetueshme, tek garantimi i të ardhurave jetike për shtresat në nevojë, tek zgjerimi dhe konsolidimi I shtresës së mesme të shoqërisë, si garante e një zhvillimi të qëndrueshëm, por edhe vetë mbrojtjes së demokracisë”, tha Meta.