zoom

Lajme

Mesazhi i Edlira Çepanit pas vdekjes së Gerti Bogdanit: Të jesh e fortë, e vetmja mundësi që ke

Aktivistja Edlira Çepani është rishfaqur në ekran pas vdekjes së papritur të bashkëshortit të saj, Gerti Bogani, pas një infarkti në zemër.

Ajo doli në skenën e Fest 63 ku dha një mesazh frymëzues për publikun teksa ndau histori të grave shqiptare, duke u shprehur se ato janë heroina.

Edlira Çepani u shpreh se “nuk kupton sa e fortë je, derisa të jesh e fortë, është e vetmja mundësi që ke në jetë”.

“Këtë shprehje ma tha para disa kohësh një mik i mirë, dhe më erdhën menjëherë në mend të gjitha ato gra që kam takuar në momente të ndryshme të rrugëtimeve të mia nëpër Shqipëri”, tha aktivistja.

Ajo shtoi se në Shqipëri është shumë e vështirë të jesh një grua, “që kur lind e deri sa mbyll sytë”.

“Gratë shqiptare janë vërtetë heroina, por kjo nuk do të thotë që duhen lënë vetë. Heronjtë duhen mbështetur”, theksoi gruaja e ish-deputetit të ndjerë.

Rrëfimi i plotë:

Nuk e kupton sa e fortë je, derisa të jesh e fortë, është e vetmja mundësi që ke në jetë. Këtë shprehje ma tha para disa kohësh një mik i mirë, dhe më erdhën menjëherë në mend të gjitha ato gra që kam takuar në momente të ndryshme të rrugëtimeve të mia nëpër Shqipëri.

Njëra prej tyre mbante edhe dy fëmijë në një fshat pa ujë, pa kushte, e dhunuar, në një shtëpi të ndërtuar vetë. I rriste vetë fëmijët e vet. Atë ne e ndihmuam që të dilte nga ai realitet, ama gra të tjera si ajo unë i kam çdo ditë në zemër sepse e kanë këtë sfidë dhe sa herë i takoj, i kam model force.

Një nga qindra mësueset që kam pasur fatin të takoj dhe që kanë zgjedhur t’u japin mësim fëmijëve në zonat më të thella, ka vendosur të jetë edhe një zë i fortë në politikat lokale. Sa herë e shoh të ringrihet pavarësisht vështirësive që ka, aq më shumë frymëzohem të kontribuoj me aq sa mundem për çdo grua që ka vendosur të ngrejë zërin.

Mijëra gra që kam pasur fatin të takoj nëpër Shqipëri, janë zëri i forcës për këdo. Ato janë ngritur dhe ja kanë dalë gjithmonë. Të gjitha ato ishin forca ime edhe në momentin tim më të vështirë të jetës, janë forca ime edhe në ditët më të bukura kur kam mundësi të bëj diçka për to. E vërteta është që ne shpesh, ose asnjëherë nuk i zgjedhim dot ato që ndodhin në jetë, nuk e ndalojmë dot rrjedhën e jetës, por kemi në dorë mënyrën si reagojmë për to, kemi në dorë që dhimbjen ta kthejmë në forcë dhe të mësojmë të ecim përpara.

Në Shqipërinë tonë të vogël është shumë e vështirë të jesh një grua, që kur lind e deri sa mbyll sytë. Gratë shqiptare janë vërtetë heroina, por kjo nuk do të thotë që duhen lënë vetë. Heronjtë duhen mbështetur. Këdo që ne e njohim duhet ta mbështesim sepse në këtë vend të vështirë, duhet të zgjedhim të jetojmë me vlera sepse një shoqëri që nuk i mbështet më të mirët është e destinuar të vuajë.

Ngado që ta ktheni shikimin do të gjeni një grua që frymëzon, një nënë, një vajzë e cila ka vendosur të ringrihet dhe po mundohet që t’ia dalë me të gjitha vështirësitë e saj. Do të gjeni edhe djem, burra, baballarë që frymëzojnë, mbështetja dhe mirënjohja për të gjithë këta njerëz që na e bëjnë jetën më të mirë, edhe kur ndoshta nuk janë më fizikisht pranë nesh, por na e mbushin shpirtin me vlera dhe me dritë

Postime të lidhura