Aplikacion
“Përsa i përket protokollit me Shqipërinë ju i kuptoni arsyet pse për momentin zbatimi i tij është pezulluar. Kjo çështje po shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian mbështesin qëndrimin e qeverisë italiane për këtë çështje. Në propozimin e presidentes së KE, Ursula von der Leyen për Këshillin Evropian, që mblidhet këtë fundjavë, thuhet se duhen hapur qendra pritjeje në shtete të treta jashtë BE-së, për shqyrtimin e kërkesave të azilkërkuesve.
Kjo nuk do të ndodhte nëse Italia nuk do të kishte kurajon që të inicionte protokollin me Shqipërinë. Me këtë kurajo ne u përcollëm të tjerëve në BE zgjidhje inovative për të përballuar së bashku flukset emigratore”, tha kryeministrja italaliane Giorgia Meloni.
Duke iu referuar angazhimit të qeverisë italiane, për zgjidhje inovative, Meloni përmendi Protokollin Itali-Shqipëri, të cilin ajo tha se qeveria është e vendosur ta çojë përpara.
Meloni tha se Italia përshëndet propozimin e Komisionit Evropian për reformën e kuadrit legjislativ evropian për riatdhesimet, nëpërmjet kalimit nga një Direktivë në një Rregullore të zbatueshme drejtpërdrejt në 27 Shtetet Anëtare.
“Ne e konsiderojmë atë një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm, gjithashtu për të harmonizuar praktikat e shteteve të ndryshme anëtare dhe për të bërë veprimet e riatdhesimit të atyre që nuk janë të mirëpritur në Bashkimin Evropian: nëse hyni ilegalisht në Evropë, nuk mund të qëndroni në territorin tonë”, tha kryeministrja italiane Giorgia Meloni.