zoom

In Zoom

Megaoperacioni “Divani”!

Ardhja e Taulant Ballës në krye të dikasterit blu zotohej të shkundte themelet e kriminalitetit duke çrrënjosur bandat kriminale, për të vënë kështu rendin dhe goditur mosrespektimin e ligjit.

Marrja e postit të ministrit të Brendshëm erdhi në një moment delikat, ku karta e veprimtarisë së krimit të organizuar po i shkundej çdo ditë në fytyrë mazhorancës dhe ku ndërrimet në kabinet ishin tanimë të domosdoshme, si për të treguar se po, diçka po lëvizte. Një ministës iku, një tjetër i ri erdhi dhe ndryshime u miratuan në radhët e policisë.

Por pavarësisht premtimeve pompoze, duket se as Balla nuk po u shpëton show-ve të rëndomta, që shënjestrojnë audiencën duke i ushqyer dita-ditës me “megaoperacione” minimaliste në rrjetet sociale. Jo më larg se dje, vetë Balla, në llogarinë e tij zyrtare në Facebook reklamoi një operacion periferik, i cili konstatonte në vënien përpara përgjegjësive të dy të rinjve, që hidhnin nga kati i pestë i një pallati në Durrës disa mobilie. Një ministër kabineti qeveritar, i cili trajton çështje banale, me të cilat mund të merret fare lehtë policia vendore apo pushteti lokal. Reagimi i policisë erdhi pas kallëzimit të vetë banorëve të lagjes, të ndjerë të shqetësuar nga zhurmat e vazhdueshme dhe rreziku i hedhjes së orendive.

Trumpetimi në nivel ministror i ndërhyrjeve të tilla policore ngjason qesharak, kur jeta e qytetarëve kërcënohet në fakt gjerësisht nga subjekte dhe firma ndërtimi, që jashtë çdo kriteri sigurie hedhin inerte nga katet e larta të godinave, pa iu druajtur një ndëshkimi serioz. Biznesmenë të fuqishëm sfidojnë rendin, sigurinë dhe ligjin duke bërë karshillëk në mesin e Tiranës, por dhe më gjerë.

Askush nuk flet për elefantin e kapardisur në dhomë, për këto precedentë të rrezikshëm që cënojnë sigurinë, për inertet që të shkarkohen përpara këmbëve në mes të qytetit apo mu në breg të detit. Teksa oligarkët e ndërtimit lulëzojnë pa fre, Ministria e Brendshme shton arritjet me dy të marrë në Durrës, që fluturuan dërrasa e divane nga ballkoni. Një operacion ky që do t’ia kishte zilinë edhe arrestimi i bujshëm i super kontigjentit të lartë kriminal, Ujkut të Cërrikut./ Zoom.al

 

View this post on Instagram

 

Shared post on