zoom

Aktualitet

“Me çfarë çmimi e blen Shqipëria karburantin?”/ Nisma “Thurje” kërkon transparencë nga Bordi

Çmimi i naftës shënoi sërish rritje në vend, vetëm disa ditë më parë. Ndërsa sot, përfaqësues të Nismës “Thurje” iu drejtuan me një listë pyetjesh anëtarëve të Bordit të Tranparencës, në lidhje me çmimet e karburanteve.

Përfaqësuesit e “Thurje” kërkojnë transparencë për çmimet në hyrje të karburanteve dhe fitimet që kanë pasur kompanitë që i tregtojnë. Sipas tyre, rritja e çmimeve të karburanteve duhet të ketë transparencë.

“Qeveria krijoi dhe ka në funksion prej afro 3 muaj një “Bord Transparence” për rregullimin e çmimeve të hidrokarbureve. U krijua për transparencë, por transparencën nuk po e bën as si gjë të fundit. Delina Ibrahimaj, Belinda Balluku, Ceno Klosi, Denar Biba dhe përfaqësuesit e kompanive më të mëdha të karburantit, mblidhen kokë më kokë dhe përcaktojnë çmimin sipas oreksit të tyre.

Në bursë, nafta ka qenë në rënie, ndërsa në Shqipëri çmimi po kapërcen shifra të çmendura, si kurrë më parë. Ne duam të dimë: Me çfarë çmimi e blen Shqipëria karburantin nga jashtë? Me çfarë çmimi zhdoganohet? Sa është sasia e blerë? Si e përllogarit Bordi çmimin? Sa fitim kanë deklaruar kompanitë e karburanteve për 3 muaj? Ne e dimë sa para kanë humbur shqiptarët që nga krijimi i Bordit por duam të dimë sa parà ka fituar qeveria me këto çmime? Asnjë e dhënë publike për 3 muaj, vetëm zhvatje e xhepave të qytetarëve që makinën nuk e kanë luks por nevojë të përditshme ditore.

Bëni transparecën e premtuar!”-thuhet në deklaratën e Nismës Thurje./zoom.al/