zoom

Aktualitet

Mbyllet protesta/ Lirohen të gjitha rrugët, opozitarët të kënaqur

Ka përfunduar pas tre orësh protesta e sotme e opozitës e cila kishte për qëllim paralizimin e qarkullimit rrugor në të gjithë vendin.

Protestues dhe mbështetës të opozitës iu bashkuan mosbindjes civile duke bllokuar pikat kyçe që lidhin akset kryesore nga veriu ne jug e nga lindja në perëndim.

Rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, ish-sheshi Shqiponja në Tiranë, rrethrrotullimi i Milotit, Levani në Fier,  Bishti i Zhurit në Rrogozhinë dhe mbikalimi i Kthesës së Kamzës u mbushën me protestues në shenjë proteste ndaj qeverisë për burgosjen e deputetit të PD-së, Ervin Salianji, arrestimin e ish-presidentit të vendit Ilir Meta dhe pakënaqësi të tjera.

Aksioni opozitar i kësaj të marte, ndryshe nga ai i 7 tetorit, u mbyll pa incidente apo problematika të mëdha përveç pak momenteve në Elbasan dhe Tiranë, ku pati përplasje të lehta mes protestuesve dhe policisë dhe djegie gomash.

Në të gjithë pikat e bllokuara deputetët e opozutës të cilët ishin në krye të protestës dhanë mesazhe politike, duke theksuar se nuk do të tërhiqen nga rruga e tyre nëse kryeministri Edi Rama nuk pranon qeverinë teknike.

Në përfundim të protestës deputetët demokrat falenderuan qytetarët për pjesmarrjen dhe thanë se qëllimi i kësaj proteste kombëtare për bllokimin e rrugëve u arrit.

Në të gjitha akset e përfshira nga protestat është rihapur qarkullimi për automjetet dhe situata është kthyer në normalitet.