zoom

Politikë

Këshilli i Integrimit, Dumani: U rrit korrupsioni në nivel zyrtar. Institucionet s’kallëzojnë

U mblodh sot Këshilli Kombëtar i Integrimit, ku po raportojnë institucionet përkatëse, përfshi edhe ato ligjzbatuese, që cilësohen si çelësi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Mes tyre po raporton aktualisht edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani. Mes të tjerave kreu i SPAK ka raportuar në lidhje me punën e bërë nga organi i akuzës.

“SPAK rol të rëndësishëm për nxjerrjen e listës gri për 2023. Rritet numri dhe sofistikimi i hetimit dhe sekuestrimit të parave. U rrit në mënyrë cilësore dhe lufta ndaj krimit të organizuar. Kishim kontakte dhe bashkëpunim të mirë edhe me homologët rajonalë.

SPAK në 2023 rriti numrin e çështjeve penale që kanë objekt hetimin e subjekteve të profilit të lartë ose të mesëm”, tha ai. Ai theksoi se kjo tregon se niveli i korrupsionit mbetet i lartë.

Kreu i SPAK Altin Dumani, ka renditur dhe problematikat me të cilat është përballur gjatë punës së tij, mes të cilave ka nënvizuar edhe mungesën e kallëzimeve e referimeve nga institucionet, përjashtuar Policinë e Shtetit.

“Shqetësim përbën për SPAK dosjet e mbartura dhe ngarkesa e madhe. Do përgatitet një strategji e veçantë për këtë aspekt. Hetimet paraprake marrin shumë kohë, këshilltarët ligjorë do të lehtësonte punën e prokurorëve të posaçëm. Problematikë tjetër është adresimi i ngarkesë së shtuar. Shpresojmë të gjejë zgjidhje.

Problematikë tjetër që kemi adresuar është rënia e referimeve nga institucionet publike. Edhe nga raporti i depozituar në Kuvend dhe KLP evidentohet rënie 40 përqind krahasuar me 2022, përjashtuar Policinë e Shtetit. Në institucionet e tjera ka rënie të kallëzimeve. Po mendojmë shtimin e hetuesve të BKH”, tha ai. /ZOOM.AL/