zoom

Aktualitet

Mashtronin të huaj e pastronin paratë, goditen dy Call-Center. Në pranga 2 pronarët dhe 6 të tjerë

Goditet një tjetër aktivitet i paligjshëm i mashtrimeve me Call-Center i qytetarëve të huaj, me investime fiktive në bursa dhe zhvatje. Dy subjekte të tjera u zbuluan dhe çmontuan, teksa kishin ngritur zyrat në Gjirokastër, me 75 punëtorë. Arrestohen 2 pronarët dhe 6 persona të tjerë si menaxherë të aktivitetit, sekuestrohen euro cash, makina, mjete kibernetike që nevojiteshin për aktivitetin dhe prova të tjera materiale. Rezulton se paratë e fituara nga aktiviteti pastroheshin në zona offshore.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

“Finalizohet operacioni policor i koduar “World Clock”, për zbulimin e 2 call centerave, në kryeqytet, ku mashtroheshin kryesisht gjatë natës, shtetas nga disa kontinente, që të investonin në tregje fiktive.

Operacioni, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të një hetimi proaktiv, 6-mujor, të iniciuar në Prokurorinë e Gjirokastrës.

Arrestohen 8 shtetas, bashkëpronarë dhe punëtorë në 2 subjektet call center, të cilët dyshohet se i pastronin të ardhurat e përfituara nga mashtrimet, nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve.

Të dyja subjektet ekonomike dhe 75 punonjës të gjetur në to, të paregjistruar në organet tatimore.

Sekuestrohen 13500 euro, një automjet luksoz, prodhim i viteve të fundit, 75 laptopë, 25 kompjuterë, 35 celularë, 2 servera, 2 DVR dhe disa blloqe shënimesh, me emrat e shtetasve të mashtruar.

Si rezultat i hetimeve të ndjekura për rreth 6 muaj, me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë, në qendër dhe në qarqet Tiranë dhe Gjirokastër, në bazë të procedimit penal nr. 471, të vitit 2023, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “World Clock”.

Si rezultat i operacionit, u vunë në pranga shtetasit: E. S., 32 vjeç, banues në Tiranë, E. P., 28 vjeç, banues në Tiranë, M. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, E. H., 23 vjeç, banues në Fushë Krujë, A. H., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, S. B., 35 vjeç, banues në Vlorë, F. H., 27 vjeçe, banuese në Tiranë dhe E. M., 26 vjeçe, banuese në Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center, të paregjistruara, në kryeqytet (me administrator shtetasin E. S. dhe me bashkëpronar shtetasin E. P.), mashtronin shtetas nga disa kontinente, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneronin nga kjo veprimtari kriminale, këta shtetas i pastronin nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve.

Vijojnë hetimet intensive për të identifikuar dhe për të arrestuar shtetasit e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për të gjurmuar dhe për të sekuestruar asetet e përfituara në kundërshtim me ligjin. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”. /ZOOM.AL/