zoom

Aktualitet

Mashtronin qytetarë nga e gjithë bota/ Sekuestrohen 2 Call Centera në Tiranë, në pranga 3 shqiptarë

Tre persona janë arrestuar gjatë një operacioni të Autoriteteve italiane dhe SPAK, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim në Shqipëri, nën akuzë për mashtrime online përmes bursave.

Këta persona akuzohen se kanë zhvatur miliona euro nga mashtrimet online përmes bursave. Sipas mediave italiane, hetimet kanë zbuluar një skemë kriminale komplekse, e cila përfshinte pastrimin e parave të vjedhura në vende të ndryshme të BE-së, përfshirë Qipron, Lituaninë, Estoninë, Holandën, Italinë dhe Gjermaninë, dhe shndërrimin e tyre në kripto-valuta.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu rreth 90 mijë kontakte telefonike të shtetasve italianë, për përdorim të operatorëve call center, që u propozoheshin investime false. Sipas Rainews, në Tiranë u sekuestruan dy call center me mbi 60 stacione pune të pajisura me kompjuter personal dhe dy serverë të lidhur me stacionet e punës.

Në të njëjtën kohë, në Itali u sekuestrua serveri i përdorur nga organizata kriminale për të “errësuar” gjurmët e saj kompjuterike dhe për të penguar hetimet.