Aplikacion
Në një njoftim të GJKKO thuhet se në përfundim të shqyrtimit të çështjes së paraqitur në 19 shtator 2023 është vendosur shpallja fajtor e Marashit, për veprat penale “Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale”, në formën e pjesëmarrjes në bandë të armatosur, “Vrasje me dashje” dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”.
Marashi kishte kërkuar rigjykimin e çështjes, por trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Flojera Davidhi vendosën ta lënë atë në burgim të përjetshëm.
Marashi kishte pretenduar se ai ishte dënuar padrejtësisht dhe se në kohët kur gjykata ka dhënë vendimin, nuk ka pasur dijeni se ndaj tij po zhvillohej një proces hetimor. Marashi ka deklaruar se dënimin dhe akuzat për ngjarjen i kishte mësuar pasi ishte ekstraduar në Shqipëri duke i ka mohuar ato.
Ai u ekstradua nga Italia në vitin 2007, por 2 vite më vonë, tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit bashkë me Preng Lleshin, anëtar tjetër i bandës së Urës Vajgurore, veprim për të cilin do të deklaronte se e bëri për të tërhequr vëmendjen që procesi ndaj tij të rihapej. Në 2013-ën Marashi u arratis edhe nga burgu i Drenovës, por më pas u arrestua në Përrenjas bashkë me Admir Tafilin dhe Gëzim Gurin.
Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur më datë 17 qershor 1997, ku në një përplasje me armë në Urën Vajgurore mbetën të vrarë 4 efektivët e policisë Arjan Shemuni, Miltjadh Koço, Asllan Selalmaj dhe Ilia Banaj që u dogjën brenda makinës së tyre. Ndërkohë që 6 efektivët e tjerë Thimi Tanku, Shkëlqim Selfaj, Ylli Dhamo, Neim Gjeroveni, Ëngjëllush Pasha dhe Arben Bega mbetën të plagosur rëndë.
Të dënuar për masakrën janë edhe Musa Protoduari, me burgim të përjetshëm; Shkëlqim Protoduari, me burgim të përjetshëm, Fatbardha Protoduari, me 25 vjet burg, Sokol Ndreu, Gjovalin Ndreu, Preng Miri dhe Gjelosh Miri.