zoom

Lajme

Marrëveshja PS-Rithemelimi/ Alibeaj: Qëllimi, goditja e reformës zgjedhore

Marrëveshja e arritur sot mes Partisë Socialiste dhe grupit të Rithemelimit për të rikthyer normalitetin në Kuvend, sipas Enkelejd Alibeajt, është në interes të Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Në një konferencë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD zyrtare, Alibeaj deklaroi se këto janë pazare të vjetra që Rama dhe Berisha i bëjnë për të mbajtur njëri-tjetrin në jetën politike.

Sipas tij, kjo marrëveshje ka si qëllim goditjen e reformës zgjedhore.

“Asgjë e re nga pazaret e vjetra. Gjithçka paska qenë në interesin e një grupi njerëzish për të mbajtur njëri-tjetrin në lojë. E ashtuquajtura marrëveshje ka qenë që së bashku me Edi Ramën të mbajnë monopolin politik. Gjithmonë Berisha dhe Rama kanë menduar që të mbajnë kontrollin e politikës së bashku.

U vërtetua se retorika për revolucion ishte gënjeshtër. Edi Rama dhe Sali Berisha janë kundërshtarë të votës së emigrantëve.

Marrëveshja ka për qëllim që të godasë Reformën Zgjedhore, sepse Rama e Berisha nuk duan sistem që t’ua heqë ndokush të drejtën që të zgjedhin kandidatët. Askush nuk do një zonë zgjedhore, sepse e kanë ndarë Shqipërinë në copash”, tha Enkelejd Alibeaj.