zoom

Bota

Maqedonia e Veriut/ Mbyllet lista zgjedhore

Në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit të drejtë vote kanë 1.824.864 qytetarë. Lista zgjedhore u mbyll në seancën e mbrëmshme të KSHZ-së. Më së voni deri më 1 Tetor, KSHZ-ja duhet ta nënshkruajë listën zgjedhore përfundimtare.

Siç u tha në seancën e 27-të të KSHZ-së, nga numri i përgjithshëm i votuesve, 1.740.147 qytetarë janë në listën zgjedhore. Në vende të veçanta të kësaj liste janë regjistruar 82.461 persona që janë jashtë vendit, 1.899 të cilët në ditën e zgjedhjeve janë në vuajtje të dënimit me burg apo në paraburgim, 351 persona të akomoduar në institucione jashtëfamiljare dhe 6 të tjerë që evidentohen si të zhvendosur.

Fushata zgjedhore nis të hënën më 27 Shtator dhe do të përfundojë më 15 Tetor në mesnatë. Rrethi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 31 Tetor kurse fushata do të zgjasë deri më ora 24:00 më 29 Tetor.

Pas përfaqësuesve të të gjitha partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet 2021, Kodeksin për zgjedhje demokratike dhe të ndershme e kanë nënshkruar edhe shumë kandidatë për kryetarë komunash.

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut dje njoftoi se zhvillimet që lidhen me zgjedhjet lokale do të ndiqen nga një komision i përkohshëm që do të vëzhgojë parregullsi eventuale zgjedhore për shkak të mbrojtjes nga veprime kriminale apo të jashtëligjshme.

Kryetar i Komisionit do të jetë Xhelal Bajrami, kurse anëtarë janë prokuror publik nga prokuroritë e larta publike dhe Prokuroria Themelore Publike në Shkup.

Në zgjedhjet lokale 2021 për herë të parë do të zbatohen terminalet për shenjat e gishtërinjve për të konstatuar identiteti i votuesve dhe të shmangen parregullsitë eventuale gjatë zgjedhjeve.

Këto terminale duhet të arrijnë më së voni deri më 1 Tetor, konform marrëveshjes me kompaninë gjermane “Dermalog”.

Sikurse për zgjedhjet Parlamentare 2020, edhe këtë vit zgjedhjet do të mbahen me zbatimin e masave anti-Covid, kurse do të formohen komisione të veçanta zgjedhore për personat që do të duan të votojnë, por në ditën e zgjedhjeve do të jenë të izoluar apo pozitiv me COVID-19.