Aplikacion
Në bashkim dënimesh u vendos përfundimisht dënimi i unifikuar me 40 vjet burgim.
Ilir Gjokaj u dënua për vrasjen e Shejla Bakijës (19-vjeçare) dhe plagosjen e babait të saj Shabanit, të kryer në shtator të vitit 2021, në fushën e Karabushkos në Tuzi.
Aktgjykimin e shkallës së parë e shpalli kryetari i këshillit, gjyqtari Veljko Radovanoviç, shkruan sot “Vijesti.me”. Ai në shpjegimin e aktgjykimit tha se Gjokaj e ka vrarë Shejla Bakijën për motive të ulëta dhe egoiste.
Sërgjan Leshkoviç, avokati mbrojtës i Gjokajt, u tha gazetarëve pasi gjykata shpalli vendimin sot, se aktgjykimi është sjellë nën presion dhe se gjykatat i marrin vendimet e tilla lehtë. Ai theksoi se në këtë procedurë nuk është paraqitur asnjë provë e mbrojtjes. Ai shtoi se gjykata i hodhi poshtë të gjitha provat e mbrojtjes.
“Sigurisht që mbrojtja do të parashtrojë ankesë, aq më tepër që çdo kërkesë për paraqitjen e provave është refuzuar. Besoj se provat që i kemi propozuar, nëse do t’i kishim paraqitur, aktgjykimi me siguri do të ishte ndryshe”, përfundoi Leshkoviç.
Avokatja Tijana Zhivkoviç, përfaqësuese e familjes së viktimës, u tha gazetarëve se aktgjykimi është një lloj satisfaksioni për familjen. Ajo beson se aktgjykimi është i bazuar në prova. /ZOOM.AL/