zoom

Slider

Makinat elektrike, trendi i ri me 100 “kleçka” në Shqipëri

Futja e makinave elektrike në Shqipëri duket një hap më shumë drejt teknologjisë por deri në momentin që ke një të tillë. Pastaj fillojnë problemet….

Blendi Gonxhe, Drejtori i Drejtorisë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor thotë se kultura automotive në vendin tonë është në vetvete e re.

Ndërkohë automjetet elektrike/PEV janë një trend krejt i ri, që kërkon edhe më shumë njohuri, informacion, vetëdije nga përdoruesit. Përveç avantazheve paraqet edhe veçanti, rreziku nga zjarri, masa/kontakte të shkurtra nëse ndërhyhet pa kujdes apo pa ditur specifikat.

Fikja e zjarrit eventual në këto mjete nuk është njësoj si në mjetet universale”, thotë Gonxhe. Ai shton se zhytja, rënia në kontakt me ujin në situata emergjence apo aksidentale, përplasja dhe si pasojë riparimet nuk janë njësoj me rastet tradicionale. Kështu edhe kostot ndryshojnë sepse flitet për teknologji krejtësisht të reja e të ndryshme me ato deri sot.

Histori po ashtu jo pa stres është karikimi, i shpejtë (i shtrenjti) apo i avashtë (më i liri), prizat, kujdesi për kabujt, nevoja për rrjet elektrik stabël, pika e karikimit private apo publike, mungesa e rrjetit/rrjeteve të karikimit sipas brandeve ose universale. Gjithashtu edhe matja me kujdes e distancave të itenerareve dhe autonomisë, peshës e relievit që ndikojnë në rendimentin e mjetit elektrik/PEV.

“Për pasojë secili që planifikon të kalojë në blerjen e përdorimin e mjeteve të tilla duhet të llogarisë mirë natyrën e lëvizjeve, trafikun ditor, sekuencat e nevojshme të rikarikimit, koston për km dhe çdo specifikë mbrojtëse në raste avarish apo nevoje riparimesh”, thotë Gonxhe.

Për shembull janë kushtet e garancisë së mjetit, disponibiliteti i një autoriparimi të mirëtrajnuar e të njohur nga prodhuesi, disponibiliteti i pjesëve të këmbimit, mirëmbajtja periodike. Këshillat e sugjerimet aktuale për zgjedhjet mbi mjetet 100% elektrike apo ato të përziera, Hybrid/Plug-In, apo me motorizim termik dhe pjesërisht hibrid, janë që përdoruesit që kryejnë lëvizje kryesisht urbane, brenda zonave me trafik të ngadaltë e të rënduar ose rrethqytetëse, mes 30 deri 100 km në ditë por jo distanca të largëta, kanë leverdisshmëri të lartë me mjetet 100% elektrike, pas tyre me ato Hybrid/Plug-In. Ndërsa për ‘maratonomakët’, iteneraret e largëta e të paparashikuara, lëvizjet jo të rregullta por me shumë km, këshillohen mjetet me motorizim termik që integrojnë edhe vetkarikimin, mjetet hibride me akumulim nga frenimi, me boost-er elektrike ose ndihmës për momentet kur motori fiket dhe pajisjet punojnë.

Megjithatë, thotë Gonxhe, rritja e shpejtë e autonomisë së mjeteve elektrike, përsosja e tyre, zgjerimi i konkurrencës në treg dhe ulja konstante e kohës së rikarikimit, do bëjë që në pak vite tërë territori shqiptar të jetë i arritshëm edhe vajtje-ardhje nga qendra drejt skajeve të tij, ndërsa do të shtohet interesi për instalim pikash rikarikimi të shpejtë në hotele, qendra shërbimi, qendra qytetesh etj.

Ekonomia e mirëqenia natyrisht lozin një rol, por çdo studim tregon se mendësia shpesh pengon në krijimin e një kulture mirëmbajtjeje si edhe të kulturës së përdorimit të mjetit rrugor, çka lidhet me pësimin/mësimin që na mungojnë, edukatën e kufizuar mbi rregullat, efektet sociale e vetjake, përgjegjësinë ndaj të tretëve, thotë Gonxhe.

Në Shqipëri tre vitet e fundit kemi risi sa i takon mjeteve 100% elektrike e Plug/In (PEV), si për shembull, heqja e gjithë TVSH (20% mbi vlerën) në import për autoveturat dhe ulja e TVSH në vetëm 6% për mjetet autobus!

Gonxhe thotë se një efekt domino po ndodh me kompani shpërndarjeje, me moto e automjete, autovetura por edhe furgonë tërësisht elektrike.

“Shikohet reagim edhe nga kompanitë e shërbimeve me shofer, makinat me qira, Postat, etj.”, çka po ndihmon në rritje numri mjetesh të tilla në zonat e banuara./Gazetasi.al