Aplikacion
Ai e nisi reagimin e tij duke goditur TV Klan, që sipas tij, nuk ishte treguar objektiv kur kishte raportuar lajmin mbi vendimin e tij ndaj deputetit Flamur Noka, vetëm pse Noka është kundër politikave që po ndjek Basha, të cilat, sipas deputetit, e kanë çuar partinë nga humbja në humbje.
Pyetje: Zoti Basha, dje keni përjashtuar deputetin Flamur Noka, pse e morët këtë vendim?
Lulzim Basha: Një herë dua, Jona që kam respektin më të madh për ty profesionalisht, t’iu them që televizioni juaj duhet të jetë pak më objektiv në pyetje e pastaj në raportime, sepse nuk i takon një televizioni me licencë kombëtare të sillet si një televizion provincial, i cili shmang të vërtetat apo deformon të vërtetat.
Pyetje: Cilat të vërteta kemi shmangur ne, zoti Basha?
Lulzim Basha: Ti asnjë, as gazetarët e Klanit asnjë, por është mirë që të jeni sa më objektiv. Dhe që të jesh objektiv do të thotë të thuash të vërtetën. Zoti Noka i kam komunikuar shkarkimin e tij nga detyra, si kryetar i Komisionit të Sigurisë, nuk e kam përjashtuar, por e kam paralajmëruar. Sepse nuk mundet që Partia Demokratike, që ka kundërshtar dhe armik, armikun e shqiptarëve Edi Ramën dhe regjimin e tij, të mbahet peng nga sajesa, shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë kryesore si opozitë që është lufta ndaj këtij regjimi në të gjitha format dhe mënyrat. Ne kemi laçuar iniciativa të shumta opozitare dhe do të lançojmë të tjera, për të zhbërë dhe gërryer themelet e regjimit Rama-Doshi-Rakipi. Dhe nuk mund të mbetemi peng i agjendave personale që kërkon ta kthejë Partinë Demokratike në një bunker për interesat personale të kujtdo qofshin këto. Prandaj, shtrembërime të tilla nuk do të tolerohen.”
Por Basha nuk e la me kaq. Tërthorazi Flamur Nokën e vuri nën akuzë kur u pyet nga gazetarët për një deklaratë të bërë prej tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, në të cilën kishte folur për “llum gjatë qeverisjes së PD-së”.
“Regjimi i Edi Ramës nuk përbëhet vetëm nga një grusht pushtetarësh të korruptuar që s’kanë të bëjnë fare me socialistët e thjesht. Përbëhet dhe nga oligarkë, edhe nga pronar mediash, edhe nga anëtarë të krimit të organizuar. Këta janë llumi i tranzicionit. 30 vite ndërrohen qeveritë, këta vetëm pasurohen të tjerët vetëm varfërohen. Statusi juaj vetëm përkeqësohet dhe beteja e Partisë Demokratike, beteja ime në krye të Partisë Demokratike është me ta. Kështu që këtu kërkohet fokus, vëmendje, guxim dhe mençuri. A ka patur llum në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike? Padiskutim që po. Një pjesë e kemi pastruar kur kemi qenë në qeverisje, një pjesë nuk ia kemi dal dot ta pastrojmë. Njerëz që sot kanë kontrata me koncensionet e inceneratorëve. Njerëz që sot hapin gropa në Tiranë për të pastruar paratë. Njerëz që kanë frikë nga gjëmat e tyre dhe që janë të shantazhueshëm nga Edi Rama, janë shantazhuar nga Edi Rama për t’i shërbyer Edi Ramës apo promovuar nga Edi Rama. Që këto para të vëna me praktika korruptive, gjatë kohës që qeverisnim ne t’i përdorin për të shantazhuar demokratët në një rrugë pa krye dhe ndërkohë të akuzojnë kryetarin e Partisë Demokratike se po u bëka presion demokratëve, kjo është e patolerueshme.”
Në fjalën e tij, Basha u duk se pati edhe një mesazh për Sali Berishën, ndonëse nuk e përmendi me emër.
“Ndaj, një gjë ta keni të qartë: Partia Demokratike është shpresa e vetme e këtij vendi. Është shpresa e vetme e shqiptarëve përndryshim. Ky është një moment fondamental ndryshimi. Kushdo që mendon se do ta kthej Partinë Demokratike në bunker për interesat e veta personale, që do të ndryshojë orientimin tonë Euro-atlantik, apo që do të thyej vendosmërinë time për t’u përballur me korrupsionin dhe krimin e organizuar që përfaqëson Edi Rama dhe regjimi i tij dhe bishtat e korruptuar të ish-qeverisjes tonë, siç e thash një pjesë e kemi pastruar atëherë, por një pjesë kanë mbetur dhe demokratët e dinë fare mirë kush janë e ku janë e se çfarë pazaresh kanë bërë dhe bëjnë edhe sot me Edi Ramën. Kush mendon se do të thyej vendosmërinë time në këtë drejtim, e ka shumë gabim. Nuk do të lejojë asgjë dhe askënd t’i bjerë me shkelmë sakrificës së demokratëve. Gjithçka që e kam bërë dhe po e bëjmë është në interesin më të mirë të demokratëve për të nderuar sakrificën e tyre, sepse po ju them dhe një herë, nuk ka shpresë tjetër për ndryshim për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç Partisë Demokratike dhe demokratëve shqiptarë”, -deklaroi Basha.
Lulzim Basha është nën presion prej disa ditësh, sa nga baza demokrate që i është bashkuar Berishës dhe kërkon largimin e tij, aq edhe nga deputetë demokratë që po i bashkohen kauzës së Berishës. E fundit që reagoi me kritika ndaj vendimit të Bashës për shkarkimin e Nokës ishte Albana Vokshi, e cila pritet që t’i bashkohet gjithashtu lëvizjes së Berishës. /Zoom.al
Borxhi ndaj sigurimeve 240 mln euro, KLSH: Do mjaftonte për indeksimin e pensioneve për shumë vite