zoom

Lajme

Londra nis gjyqin ndaj shpalljes së Berishës “non grata”, i pari i këtij lloji/ Anglia e mbështet

Në Londër ka nisur punën Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit, që do të shqyrtojë apelimin e Sali Berishës ndaj vendimit të vitit 2022 të Home Office që e shpalli atë “non-grata”.

Ky është apelimi i parë publik dhe i njohur i këtij lloji. Berisha pretendon se akuzat për lidhje me krimin dhe për korrupsion, të cituara në dosjen që është shpallur non grata janë të pavërteta.

Berisha pretendon gjithashtu në padinë e ngritur në Britaninë e Madhe, se Edi Rama kishte dijeni paraprakisht për urdhrin e përjashtimit dhe madje e kishte shpallur atë në Kuvendin e Shqipërisë, edhe para se ai vetë të ishte njoftuar për vendimin e Sekretarit të Brendshëm.

Ekipi ligjor i Berishës përbëhet nga Fergus Randolph KC, i cili u udhëzua nga Kartik Mittal, partner në firmën ligjore me bazë në Londër Zaiëalla and Co. Seanca pritet të zgjasë katër ditë.

Duke komentuar rastin, avokati i tij, Mittal, tha: “Ky është një rast i jashtëzakonshëm ku një lider opozitar i një vendi tjetër evropian i është nënshtruar një urdhri përjashtimi në bazë të akuzave të nxjerra kryesisht nga burime të mediave të huaja. Berisha nuk ka qenë kurrë i dënuar për ndonjë vepër penale në Shqipëri dhe mohon me forcë të jetë përfshirë në aktivitete kriminale korruptive”.

Ndërsa një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha: Qeveria e Britanisë së Madhe ka si prioritet sigurinë e vendit tonë dhe e bën këtë edhe duke promovuar sigurinë, prosperitetin dhe shtetin ligjor në të gjithë botën.  Britania e Madhe ka qenë një partnere e Shqipërisë duke e mbështetur në llogaridhënien dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete kundra kriminalitetit dhe korrupsionit”.

Sali Berisha u shpall fillimisht non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përfshirje në korrupsion madhor dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Pak muaj më vonë të njëjtën gjë bëri edhe Britania e Madhe, por duke cituar edhe lidhje me krimin.

Ekipi mbrojtës i Berishës në Londër pretendon se vendimi i shpalljes së tij non grata është bazuar te artikuj të mediave dhe akuzave të kundërshtarëve të tij politikë.