Aplikacion
U perifrazua pak a shumë ideja e “1 mijë lekshit të bukës”, që qytetari i varfër shqiptar e harxhonte me skedina futbolli.
Dyshimet në atë kohë, e dyshimi është si parathënie e një të vërtete, ishte se partnerët ndërkombëtarë dhe veçanërisht Italia, kishte kapur në përgjime një skemë të llahtarshme pastrimi parash nëpërmjet lotove sportive, ku përfshiheshin edhe figura të rëndësishme shqiptare, emra të njohur dhe ku fijet mund të shkonin deri në Qeveri.
Një tjetër detaj ishte përfitimi politik, pasi e përdori për të siguruar votat në zgjedhjet lokale të vitit 2019, duke përdorur marifetin e “varfërisë dhe varësisë nga kumari”.
Për t’i vënë kapakun, në kundërshtim me të gjitha të drejtat ndërkombëtare të biznesit të lirë (vetëm vendet komuniste mbyllin lojërat e fatit), kryeministri urdhëroi të tijët të hartonin Aktin Normativ, që në fakt e bëri siç deshi vetë. Preferencial duke favorizuar oligarkët e kazinove, miq pranë tij apo qeverisë.
Dhe ja 6 vite më pas, busulla kthehet 180 gradë. Bastet u rihapën në një votim polemizues dhe kaosi në Parlament këtë mesjavë. 72 vota pro të artikuluara nga kryeparlamentarja Nikolla, por që askush nuk i numëroi se sa ishin në të vërtetë.
Çfarë ndryshoi nga gjashtë vite?
Besojmë se asgjë më shumë se bipolariteti politik i kryeministrit Edi Rama ndaj çështjes së basteve. Ky votim tregoi se edhe në kohën që i mbylli, kreu i ekzekutivit e dinte që po bënte një shkelje të rëndë për interesa personale dhe përsëri tani prevalojnë të njëjtat alibi politike. Por i interesonin votat dhe konsolidimi i pushtetit.
I hap sepse dua, i mbyll sepse më duhet dhe anasjelltas. Atëhere duket se e bëri për çështje votash. Para se Rama të niste procedurën e rihapjes në hartim të ligjit të ri dhe kritereve, kujtojmë se kishte pasur debate të forta për çështje ekonomike, duke u kujtuar gazetarëve apo të rinjve se nëse “nuk do kishin bukë apo do ishin të varfër, nuk do merrnin Iphone e celularë të mirë”.
Por nëse harron të kaluarën thoshte ish-kryeministri britanik Churchill, historia përsëritet.
Dhe tashmë duket se kryeministri ynë ka mbetur lakuriq pa argument.
Pyetja që i drejtohet publikisht është: Po tani, nuk i vjen më keq për 1 mijë lekëshin e bukës të atij qytetari të varfër shqiptar?!
Mund të fshihet pas teorisë së kritereve, mbikëqyrjes, fiskalizimit, taksave dhe të tjera, por kjo nuk e pengonte aspak edhe në vitin 2018 që ta bënte, duke mos “i prerë me shpatë” gjërat dhe t’i mbyllte në mënyrë të njëanshme.
Çfarë e pengoi kryeministrin Rama gjashtë vite më parë, që e lejon tani?
Dhe përsëri dyshimi që të çon tek një pjesë e mirë e të vërtetës është se po mendon për zgjedhjet e vitit 2025…
Çfarë thoshte Rama gjashtë vite më parë
Nxitimi i kryeministrit për t’i mbyllur bastet dhe kazinotë nga 1 Janari i vitit 2019 është zëvëndësuar nga nxitimi për t’i hapur sa më shpejt ato. Rama e pranon me gjysëm zëri dështimin e masave ekstreme që mori nga 1 Janari i vitit 2019, por justifikohet kur thotë se ky fenomen nuk është ndalur as në Kinë.
“Po i heqim miliarda krimit të organizuar”, kështu deklaronte kryeministri Rama në dhjetor të vitit 2018, kur justifikonte aksionin e mbylljes së basteve dhe kazinove. Sipas kryeministrit, kjo industri po furnizonte krimin e organizuar ndaj duhej të merrte fund.
“Industria i ka dhënë një hapësirë të pajustifikueshme një pjese njerëzish që janë drejtpërdrejt të lidhur me krimin e organizuar dhe një pjesë e konsiderueshme e pronarëve të këtyre kompanive janë njerëz që kanë kaluar përmes burgjeve, plagosjeve, pengmarrjeve dhe shfrytëzimit të prostitucionit e kështu me radhë”, shprehej kryeministri.
Por Rama e sjell prap pas gati 6 vitesh hapjen e basteve.
“Ne nuk flasim këtu për hapje, por për marrjen e këtij aktiviteti nga duart e ekonomisë së zezë” thotë sot Rama që flet për “portofole të zeza individësh me profil kriminal”. Tani që kaloi, duket se do funksionojë njëlloj si më parë, me ndryshimin se do vilet taksa e fitimit nga fituesi i skedinës dhe që medemek do shkojë në buxhet.
Po ato në të zezë a do operojnë? A do gjenden mënyra infiltrimi dhe manipulimi me pagesa cash nën dorë për të ndihmuar fushatën?
Ethet dhe efektet e bixhozit dhe kumarit
Rreth tre vite më parë, kur përgatitej të mbyllte pikat e basteve dhe kazinotë, kryeministri Rama shkoi të marrë përgëzimet e grave dhe vajzave në Lushnjë. “Ajo që na ka bërë përshtypje është mbështetja e kësaj nisme nga 90% e grave dhe vajzave” u shpreh Rama, duke u solidarizuar me shqetësimin e zonjave për paratë, që burrat dhe djemtë e tyre humbnin në baste.
Rama fliste edhe për tragjedi të shkaktuara nga bixhozi në familjet shqiptare. Në një dalje në emisionin “Zonë e lirë”, ai renditi disa pasoja të rënda nga kumari kur tha se “Më shumë se 70% tregojnë se kanë probleme stresi dhe nervozizmi. 1 lojtar në 4, tregon se kanë tentuar një herë të vrasë veten”. Këtyre statistikave, kryeministri u vuri vulën me një premtim të fortë për gratë dhe vajzat. “Në datë 31 Dhjetor (2018), nënat, gratë dhe vajzat do të marrin mbrapsht djalin apo burrin e sëmurë nga bixhozi” tha ai.
Më 31 dhjetor të vitit 2018 në Shqipëri ulën qepenët më shumë se 4 mijë pika bastesh, një pjesë e mirë e vendosur në ambjente me qira. Mijëra persona mbetën pa punë. Shteti humbi taksat që deri dje vilte nga kompanitë e licensuara të basteve.
Sipas Ramës, ishin afërsisht 700 milionë euro që nga industria e kumarit do kalonin në xhepat e qytetarëve. /ZOOM.AL/