zoom

In Zoom

LISTA/ Të gjithë kryebashkiakët e Ramës të përfshirë në skandale

Paraditen e sotme, një skandal seksual shpërtheu në qeverinë Rama. Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici u filmua duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrë. Jo vetëm Gjici, por edhe emra të tjerë të kryebashkiakëve socialistë lidhen me skandale seksuale dhe afera korrupsioni.

Që prej vitit 2013, kur Partia Socialiste nisi drejtimin e qeverisë, të paktën gjashtë kryetarë të bashkive të ndryshme në vend, të propozuar në këtë post nga Edi Rama, janë detyruar të lënë detyrën në mes, për shkak të skandaleve ku janë përfshirë.

Rasti “Shukri Xhelili”


Skandali seksual është një histori e hershme për kryebashkiakët socialistë, që përfshin edhe emrin e ish-kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili.

Shukri Xhelili u arrestua më 15 maj 2015 në Tiranë me akuzën për “Korrupsion pasiv” në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Ai u denoncua nga një 20-vjeçare, pasi i kishte kërkuar asaj favore seksuale në këmbim të një vendi pune. Si provë kundër Shukri Xhelilit ishte një videoregjistrim, që e implikonte atë në aferën seksuale në këmbim të punësimit.

Vetëm një ditë pas publikimit të video-skandalit, kryeministri Edi Rama firmosi shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të Bashkisë së Dibrës, ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi ish-kryebashkiakun me 4 vite burg. Ai përfitoi ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar dhe video-skandali i kushtoi Xhelilit 2.8 vite heqje lirie.

Rasti “Elvis Roshi”

Edi Rama u detyrua në vitin 2017 t’i ndërpresë në mes mandatin në krye të Bashkisë së Kavajës edhe Elvis Roshit. Ai u arrestua me urdhër të gjykatës, pasi u akuzua se ka fshehur të shkuarën e tij kriminale në formularin e vetëdeklarimit.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Rroshi ka fshehur një dënim për përdhunim në Itali, dy dëbime nga Italia dhe Zvicra përgjatë viteve 1993-1995 dhe një arrestim të dytë në Zvicër në vitin 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut.

Hetimi i thelluar i Prokurorisë së Tiranës zbuloi skedën e zezë të ish-kryebashkiakut të Kavajës, si edhe faktin se Elvis Roshi ka përdorur pesë emra të ndryshëm në disa vende të Evropës.

Shkarkimi i Fatos Tushes

Në vitin 2021, një tjetër kryebashkiak socialist u arrestua për t’u përballur me drejtësinë. Fjala është për Fatos Tushen, asokohe kryetar i Bashkisë së Lushnjes. Ai u arrestua me urdhër të SPAK, si i akuzuar për disa raste korrupsioni. Tenderi, për të cilin SPAK nisi hetimet dhe vendosi të arrestonte kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe, është i vitit 2020.

Bëhet fjalë për një tender me vlerë 24 milionë lekë të reja për rehabilitimin e kanalit ujitës në fshatin Bishqethem dhe Bitaj, në njësinë administrative Kolonjë.

Tushe akuzohet se ka favorizuar një nga kompanitë, që ka marrë pjesë në tender. Përveçse akuzohet për shkeljen e barazisë në tendera, pasi ka skualifikuar kompanitë e tjera, sipas SPAK dyshohet se ka përfituar dhe para, bashkë me të arrestuarit e tjerë në Bashkinë e Lushnjës.

Abuzim me tendera, jo vetëm Fatos Tushe

Akuza për abuzim me tenderat publikë nuk është ngritur vetëm ndaj ish-kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe. Edhe Lefter Alla u shkarkua vetëm pak muaj më parë nga posti i kryetarit të Bashkisë së Bulqizës për shkelje të rënda. Me urdhër të SPAK, Alla u arrestua më 16 mars, bashkë me 10 persona të tjerë.

Zyrtarisht, Prokuroria e Posaçme thotë se i bazuar në prova, kryebashkiaku i Bulqizës ka shkelur barazinë në tendera dhe ankande publike dhe ka shpërdoruar detyrën. Nga hetimi ka rezultuar se për Lefter Allën evidentohet qartësisht se ka shkelur procedurat e prokurimit publik të 30 prillit 2021 për ndërtimin e rrjetit të furnizimit dhe të shpërndarës së ujësjellës-kanalizimeve, në Lagjen e Vjetër të qytetit të Bulqizës.

Rasti i Pjetrit, nuk e shijoi dot detyrën asnjë ditë

Valdrin Pjetri është një tjetër emër që Partia Socialiste e kishte zgjedhur për të drejtuar një prej bashkive më të rëndësishme të vendit, atë të Shkodrës, në vitin 2019. Por pas denoncimeve të Partisë Demokratike, Pjetri, pasi siguroi mandatin drejtues në procesin zgjedhor pa garë sepse opozita nuk mori pjesë në zgjedhje, u detyrua të dorëhiqet pa bërë dot betimin si kryetar i Bashkisë së Shkodrës. Arsyeja? Ai nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë i dënuar në Itali nën akuzën e prodhimit dhe trafikimit të substancave narkotike.

Rasti i Agim Kajmakut

As Agim Kajmaku, i zgjedhur në krye të Bashkisë së Vorës, nuk e çoi dot mandatin deri në fund. Ai u zgjodh pa garë në vitin 2019, por më pas, vetëm një vit më vonë, u shpall në kërkim për falsifikim të dokumenteve zyrtare. Kajmaku kishte gënjyer formularin e dekriminalizimit, ndërsa drejtësia italiane më pas ngriti akuzë edhe për trafik të 20 kg kokainë

Duket se skandalet, të cilësdo natyrë nuk janë më raste të izoluara në kabinetin e qeverisë Rama./ Zoom.al