zoom

Bota

Lideri i opozitës venezueliane rrëmbehet pak orë pas lirimit nga burgu

Lideri i opozitës venezueliane rrëmbehet pak orë pas lirimit nga burgu

Udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, deklaroi se kolegu i saj i opozitës, Juan Pablo Guanipa, është rrëmbyer vetëm disa orë pasi u lirua nga paraburgimi.

Machado bëri të ditur se Guanipa, udhëheqës i partisë “Drejtësia e Parë”, u mor me forcë në lagjen Los Chorros të kryeqytetit Karakas. Sipas saj, burra të armatosur rëndë, të veshur me rroba civile, mbërritën me katër automjete dhe e rrëmbyen atë.

Juan Pablo Guanipa, ish-nënkryetar i Asamblesë Kombëtare, kishte kaluar rreth tetë muaj në burg dhe ishte ndër disa të burgosur politikë të liruar pas zhvillimeve të fundit politike në vend.

Partia e tij e qendrës së djathtë reagoi duke deklaruar se Guanipa është rrëmbyer nga “forcat shtypëse të diktaturës”, ndërsa ai po lëvizte nga një vendndodhje në tjetrën.

Në një reagim publik, partia “Drejtësia e Parë” theksoi se mban përgjegjës Delcy Rodríguez, Jorge Rodríguez dhe Diosdado Cabello për çdo dëm që mund t’i ndodhë jetës së Juan Pablo Guanipës.