zoom

Ekonomi

Leku dobësohet brenda 24 orësh, rritje e “beftë” e monedhave të huaja këtë të mërkurë

Pozitat e lekut u lëkundën këtë të mërkurë përballë monedhave të huaja në tregun e këmbimit valutor.

Pas disa ditëve me një “super-lek”, monedha vendase pësoi rënie të papritur, duke bërë që terren të fitojnë euro dhe dollari.

Duke ju referuar të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, sot 1 euro u këmbye me 104.63 lekë, nga 102.93 lekë që ishte një ditë më parë.

Kjo konsiderohet një lëvizje e beftë sepse gjatë javës së shkuar monedha europiane shënoi nivelet më të ulëta të këtij viti.

Më i fortë përballë lekut u shfaq edhe dollari amerikan, i cili u këmbye me 96.52 lekë ose thënë ndryshe 1.6 lekë më shumë se një ditë më parë. Ky është niveli më i lartë që dollari amerikan regjistron në raport me lekun, që prej muajit shkurt.

Paundi britanik u rrit akoma më shumë, me gati 1.9 lekë dhe arriti në 121.94 lekë, gjithashtu niveli më i lartë që prej mesit të muajit shkurt.