zoom

In Zoom

Leje për kulla: Si i “bleu” Edi Rama ish-eskponentët e PD

“Strategjia e kryeministrit Rama për të afruar kundërshtarët politikë përmes lejeve të ndërtimit nuk është e re dhe ai ka mundur ta zbatojë atë me mjeshtëri kudo ku ka gjetur personazhe të luhatshëm në kampin kundërshtar.”

Nga Zoom.al

Ndërtimi i kullave është shndërruar vitet e fundit në një prej mekanizmave kryesorë të pasurimit të një grupi individësh në Shqipëri. Por ajo që bie në sy është përfshirja e disa figurave të dikurshme të Partisë Demokratike në këtë skemë, duke ngritur dyshime mbi një strategji të Edi Ramës për t’i joshur këto personazhe përmes lejeve të majme të ndërtimeve, në mënyrë që të neutralizojë influencën e tyre dhe ta përçajë e dobësojë edhe më tej opozitën.

“Vlora Landmark Resort”

Një nga rastet më të qarta është ai i Ardian Kollozit, ish -deputet dhe ish -kryetar i Partisë Demokratike të Vlorës.

Në vitin 2022, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi një leje ndërtimi për kompaninë “E&A Investiment Vlorë”, e cila është themeluar nga Endi Kollozi, djali i Ardian Kollozit. Projekti përfshin ndërtimin e një kulle 26-katëshe në zonën e lakmuar të Lungomares, të quajtur “Vlora Landmark Resort”.

Leja jepej para zgjedhjeve vendore. Ajo që ka ngriti dyshime ishte fakti që kompania e Kollozit u krijua vetëm pak muaj para se të merrte këtë leje ndërtimi. Me një kapital fillestar minimal, ajo u fuqizua në mënyrë të menjëhershme, duke u përfshirë në projekte me vlerë miliona euro.

Strategjia e kryeministrit Rama për të afruar kundërshtarët politikë përmes lejeve të ndërtimit nuk është e re dhe ai ka mundur ta zbatojë atë me mjeshtëri kudo ku ka gjetur personazhe të luhatshëm në kampin kundërshtar.

“Rozafa Tower”

Gjokë Uldedaj, një tjetër ish-deputet i PD-së dhe biznesmen, është bërë gjithahtu pjesë e kësaj skeme. Në vitin 2020, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore miratoi një vendim për restaurimin e një objekti në pronësi të tij në Voskopojë. Ky vendim tregon për angazhimin e tij në projekte me impakt urban dhe turistik, duke e pozicionuar atë si një përfitues të investimeve në këtë sektor. Por kjo nuk është asgjë përpara lejes për një ndërtim gjigant në qendër të Shkodrës, që mori vëllai i tij.

Agustin Uldedaj, administrator i “Hotel Rozafa” ka marrë leje për ndërtimin e “Rozafa Tower”, një kullë shumëkatëshe që ka krijuar polemika.

Vetë Uldedaj e vuri në dukje bashkëpunimin me institucionet kur prezantoi projektin.
“Për një sipërmarrje të tillë, bashkëpunimi me institucionet është jetësor. Respektimi i ligjeve, rregullave e rregulloreve, nga niveli qendror i vendimmarrjes deri në nivelin lokal, përveçse detyrim, është edhe vullneti ynë i përhershëm në të gjitha aktivitetet tona. Por njëkohësisht, jemi të bindur se po propozojmë dhe do i realizojmë Shkodrës e Veriut një vlerë të shtuar në turizëm” – deklarote ai në korrik të vitit 2024.

Ky projekt, i cilësuar si një nga më të mëdhenjtë në Shkodër, është një tjetër shembull i skemës së Rilindjes për të “afruar” kundërshtarët.

A po blen realisht Rama opozitën përmes ndërtimit?

Në një vend ku ndërtimi është kthyer në sektorin më fitimprurës dhe shpesh lidhet me pastrimin e parave dhe korrupsionin, përfshirja e ish-figurave të PD-së në projekte të tilla shihet si dëshmi e një tendence të qartë: asaj që qeveria i afron kundërshtarët politikë përmes mundësive për pasurim, duke i transformuar nga kritikë të pushtetit në përfitues të tij.

Lezha dhe Vlora janë dy qarqet ku mazhoranca ka mundësitë reale për të thyer rezultatin e zgjedhjeve të kaluara dhe të marrë nga 1 mandat më shumë. Kapja e dy ish -eksponentëve të Partisë Demokratike, që kanë influencë të konsiderueshmë dhe vota në zonat e tyre, ia bën atij më të lehtë zbatimin e skemës.

A po e shuan kjo strategji opozitën reale në Shqipëri? Ajo që shihet është se, sa më shumë kulla të reja po ngrihen, aq më shumë e heshtur duket opozita. Sa më shumë pasurohen eksponentët e opozitës përmes lejeve e kontratave qeveritare, aq më shumë varfërohet opozitarizmi.

Postime të lidhura