zoom

In Zoom

Lana, një lumë i qelbur mespërmes Tiranës si dëshmi e një qyteti prapanik

“Nuk jemi tipa që lahemi në Lanë,”- do të ironizonte 7 muaj më parë kryebashkiaku Erion Veliaj, kundërshtarin e tij të PD-së, për propozimin e shndërrimit të saj në një zonë pushimi. Krahas batutave tallëse të banjove të diellit, padashur, Veliaj po pranonte të vërtetën e hidhur të kryeqytetasve, që i faturohet jo pak, vetë atij: në këtë lumë jo vetëm s’mund të lahesh, por atij as mund t’i afrohesh.

Të flasësh për projekte vitalizimi të një lumi, që pikë së pari qelbet erë, duket surreale.

Prej vitesh, Tiranës nuk i ndahet damka e ujit të pistë të Lanës, që e shoqëron përgjatë zonave kyçe të saj. Llakosur përpara publikut me tituj si “qyteti rinor i Evropës” apo “qytet premtues investitorësh”, kryeqytetit shqiptar harrohet t’i bëhen shërbimet kryesore; pastrimi i mbeturinave dhe frenimi i derdhjes së ujërave të zeza në lumin Lanë. Bidona, kartona e lecka hedhur në ujë janë një normalitet i përditshëm.

Më shumë një pellg i qelbur sesa lumë, Lana kundërmon nga zona e Ali Demit, te “Shkolla e Baletit”,” ish- 7 Xhuxhat” apo “Pallati me Shigjeta”. Teksa kullat ngjiten dita-ditës lart, Lana vijon e zhytet në pisllëk.

Propaganda qeveritare dhe bashkiake i ka bërë qytetarët të besojnë se Tirana është mes qyteteve moderne. Por çdo qytetar i Tiranës apo vizitor i saj e ka ndjerë kundërmimin e Lanës, si një banjo e qelbur publike, teksa kalon në urën e rrugës së Elbasanit apo përgjatë trotuareve në afërsi të shkollës së Baletit, ku duket se është edhe zona kritike, pasi aty derdhen hapur në lumë, pa pushim, ujërat e zeza të një pjese të madhe të qytetit.

Përdorur sa në një fushatë elektorale në një tjetër, duke përsëritur e ripërsëritur pastrimin e disahershëm të premtuar të saj, askush nuk beson më se një ditë, llumi që rrëshqet nëpër Tiranë, do të filtrohet.

Tirana është sot një ndër kryeqytetet e Sportit. Një vit më parë ishte kryeqytet i Rinisë. Por ndërsa ndryshon vit për vit emërtimet si pjesë e projekteve evropiane, emri që s’do t’i hiqet për shumë kohë është ai i kryeqytetit që qelbet nga lumi që e përshkon tejpërtej, sepse Tirana është i vetmi kryeqytet në rajon e në Evropë që nuk i trajton ujërat e zeza, pasi nuk ka impiant të përpunimit të tyre.

Pavarësisht se ky problem vijon prej vitesh, bashkia dhe qeveria duken më të interesuara të japin leje për pallate shumëkatëshe përgjatë Lanës, sesa të projektojnë zgjidhje që ujërat e zeza të mos derdhen më në mes të qytetit.

Ndërtesat shumëkatëshe, vaniteti i zonës së ish-Bllokut në krah të Lanës dhe makinat luksoze që xhirojnë gomat në të dy brigjet e lumit, nuk mund ta bëjnë Tiranën një qytet modern, për aq kohë sa Lana qëndron aty e qelbur, si prova e pakundërshtueshme e një qyteti prapanik. /Zoom.al