zoom

Aktualitet

Lajmi i fundit/ U vra nga bashkëpronari i hotelit, gjendet trupi i recepsionistit Eraldo Nevruzi

Pas kontrolleve në terren nga uniformat blu është gjetur trupi i pajetë i recepsionistit, Eraldo Nevruzi, i cili dyshohet se u vra nga bashkëpronari i hotel “Greccia” në Dhërmi, 43-vjeçari Gerald Shehu, pak pas mesnatës së të mërkurës, në 6 qershor.

Trupi i 31-vjeçarit është gjetur afër një guroreje pa shkuar në Vuno.

Ndërkohë po sot, policia ka arrestuar edhe dy punonjës të hotelit si bashkëpunëtorë në vrasjen e recepsionistit 31-vjeçar.

Daniel Qose, 33 vjeç dhe David Larti, 30 vjeç besohet se kanë ndihmuar pronarin e hotelit Geraldo Shehu që të fshehë trupin e recepsionistit, pasi e qëlloi atë me armë.

Shehu, i cili u arrestua në aeroportin e Korfuzit në tentativë për t’u arratisur në Angli, ende nuk është marrë në pyetje pasi s’ka mbërritur në Shqipëri.

Gjatë kontrolleve në banesën e Gerald Shehut, policia gjeti një gëzhojë. Dyshohet se ajo i përket plumbit me të cilin është qëlluar recepsionisti Nevruzi.

Pas krimit, 43-vjeçari dyshohet se ka mbledhur trupin me një çarçaf, e ka futur në makinë dhe e ka zhdukur. Autori është larguar në drejtim të Greqisë, ndërsa mjeti i tij Audi A8 është gjetur në një parkim privat në Sarandë.

Nga Qafë Bota ai ka kaluar në Greqi, ndërsa kishte prerë biletë për të ikur drejt Britanisë së Madhe, por është kapur teksa shkonte në aeroportin e Korfuzit.

Pistat në të cilat po hetohet janë dy: konflikt i çastit dhe prishja e pazareve të drogës, pasi viktima dhe autori kanë patur njohje mes tyre kur kanë qenë në Angli.

Po hetohet nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë në këtë ngjarje të rëndë./ Zoom.al